Shqipëria Postuar më 24 Maj 2022, 12:22

Pse bizneset shqiptare po orientohen drejt euros? - Bie interesi për lekun, por pritshmëritë janë që kjo të ndryshojë!

Nga SCAN TV

Lufta në Ukrainë dhe rritja e fortë e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ka bërë që bizneset shqiptare të orientohen më shumë drejt monedhës europiane euro sesa ndaj lekut.

Kjo konstatohet në raportin e fundit të tendencave të kreditimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë konstaton se kredia në valutë për biznese ka pësuar rritjen më të madhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

Kredia në valutë njohu rritje dyshifrore, prej 12,5 %, ose dy herë më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo kredi dominon portofolin e kredisë për biznese, me 57%, pjesa më e madhe e të cilëve kanë të ardhura në valutë, shkruhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Rritja e kredisë në valutë u mbështet nga kërkesa e shtuar e bizneseve për blerjen e mallrave jashtë, në kushtet e rritjes së shpejtë të çmimeve dhe pasigurisë që solli fillimi i konfliktit në Ukrainë.

Po kështu, edhe likuiditeti i bollshëm i bankave në valutë si rrjedhojë e rritjes së qëndrueshme të depozitave në monedhë të huaj, është një tjetër faktor në mbështetje të kreditimit në valutë.  “Norma e rritjes së kredisë në lekë për biznese është ngadalësuar dukshëm, në 5.4%. Përdorimi i burimeve alternative të financimit, përkeqësimi i besimit dhe rritja e pasigurisë tek bizneset e vogla dhe ato të mesme duken se kanë ulur kërkesën për financim në monedhën vendase.

Bizneset e vogla dhe të mesme, për vetë natyrën e biznesit të tyre, e kryejnë aktivitetin kryesisht në lekë dhe rreziku i kursit të këmbimit dhe pasiguria e lartë e krijuar mbas fillimit të konfliktit Rusi - Ukrainë kanë ndikuar edhe në shtrëngimin e standardeve për këtë grup nga bankat” shkruhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Një element tjetër që ka ndikuar në uljen dhe ngadalësimin e kreditimit në lekë është edhe përfundimi i skemave mbështetëse që ka dhënë më parë qeveria, sikurse ishin garancitë sovrane.

Në këtë kontekst, situata e kreditimit në lekë pritet të ndryshojë, për faktin se qeveria shqiptare ka rikthyer skemën mbështetëse për bizneset, raporton SCAN.

Përmes një akti normativ, qeveria shqiptare i ka hapur rrugën ripërdorimit të mekanizmit të  garancisë sovrane.

Kompanitë e shumicës për produktet ushqimore e kanë të vështirë të krijojnë rezervën 3 mujore të përcaktuar me ligj, shkak për të cilin Qeveria ka vendosur të hyjë në lojë.

Qeveria sapo ka dërguar në Kuvend një Akt Normativ, i cili bën të mundur që këto kompani të përfitojnë kredi nga bankat tregtare, për të cilat del garant qeveria përmes mekanizmit të garancisë sovrane.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat