Shqipëria Postuar më 4 Janar 2024, 13:50

Pronat, gati vendimi për 1700 dosje të patrajtuara - Raporti i Ministrisë së Drejtësisë: Për 2024, synohet që të kompensohen 1760 familje

Nga SCAN TV
Pronat, gati vendimi për 1700 dosje të patrajtuara - Raporti i

Agjencia e Trajtimit të Pronave ka gati vendimin për 1700 dosje të patrajtuara. Pas ndryshimeve të bëra në ligj, u përcaktua rihapja e afatit për shqyrtimin e më shumë se 7 mijë dosjeve pa vendim, afat ky që përfundon në fund të këtij viti. Por deri më tani, sipas raportit të monitorimit të ATP, janë vlerësuar vetëm 1700 prej tyre.

“Agjencia e Trajtimit të Pronave ka vijuar me shqyrtimin e kërkesave për njohje pronësie (dosjeve/praktikave të patërhequra) dhe janë dërguar njoftime për plotësimin e dokumentacionit ligjor dhe hartografik për 1700 dosje/praktika”, thuhet në raport.

Megjithatë dokumenti nuk përcakton se kur do të bëhet publike vendimmarrja për këtë dosje. Procesi është pezulluar prej muajit nëntor të vitit që lamë pas, nga Gjykata Kushtetuese, pas padisë së depozituar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

Sa i takon ecurisë së procesit, edhe për vitin 2023 numri i familjeve që kanë marrë kompensimin ka qenë tejet i ulët. Nga 1600 vendime që ishin parashikuar për t’u ekzekutuar, vetëm 151 prej tyre kanë marrë paratë e kompensimit. Pjesa dërrmuese kanë përfituar prej skemës me këste, duke marrë deri në 40 për qind të vlerës që ka prona e tyre dhe duke hequr dorë nga pjesa e mbetur.

“Produkti “Përfitues nga fondi fizik dhe financiar të kompensuar”, është realizuar 9%, janë kompesuar 151 subjekte nga 1,600 subjekte të parashikuara. Gjatë 8 mujorit 2023, kanë aplikuar për kompesim financiar/fizik dhe me kërkesë të veçantë 5 subjekte dhe janë lëvruar 146 subjekte për këstin e radhës me fond 442,019,736 lekë”, theksohet në raportin e Ministrisë së Drejtësisë.

Ndërkohë, veç tyre janë edhe 515 pronarë të shpronësuar për efekt të procesit legalizues të cilët kanë marrë paratë e kompensimit për tokën e zënë nga ndërtimet pa leje.

Sakaq për këtë vit fondi i vënë në dispozicion është rreth 4.2 miliardë lekë ose 42 milionë dollarë dhe janë parashikuar që të marrin kompensimin 1760 familje. Me ndryshimet e bëra në ligj, familjet që preken nga ndryshimi i zërit kadastral, do të përfitojnë vetëm 10 për qind të vlerës që ka prona e tyre sot në treg. Përveç kompensimit financiar, pronarët mund të përfitojnë edhe nga skema e kompensimit fizik. Fondi që ATP disponon është 23 mijë hektarë, i lokalizuar në Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Elbasan.

Ada Hazizolli/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat