Bota Postuar më 8 Mars 2023, 10:30

Powell mbështet dollarin amerikan - Sinjalizon rritjen e normave të interesit me hap më të shpejtë

Nga SCAN TV
Powell mbështet dollarin amerikan - Sinjalizon rritjen e normave të

Dollari amerikan është forcuar ndjeshëm gjatë sesionit të sotëm, pasi presidenti i Rezervës Federale, Jerome Powell deklaroi se banka qendrore amerikane do të rrisë normat e interesit me një hap më të shpejtë se parashikimet e tregjeve. Gjithashtu, Powell sinjalizoi se procesi i kthimit të inflacionit pranë objektivit prej 2% do të kërkojë më shumë kohë. “Rezerva Federale është e përgatitur të marrë hapa domethënës, nëse informacionet sugjerojnë se nevojiten masa më të ashpra për të kontrolluar çmimet”, deklaroi Powell, në dëshminë e tij përpara ligjvënësve të kongresit.

Në dy takimet e fundit, banka qendrore e ka ngadalësuar hapin e rritjes së interesave me 25 pikë bazë. Pas këtyre komenteve, analistët vlerësojnë se ka 60% mundësi që Rezerva Federale të rrisë normën bazë të interesit me 50 pikë bazë në takimin e 21 dhe 22 marsit, nga 22% që ishte më parë. Ndërkohë, të dhënat mbi punësimin për shkurtin, që do të publikohen të premten do të jenë vendimtare në politikëbërjen e bankës qendrore amerikane.

Analistët parashikojnë se, ekonomia më e madhe në botë do të ketë krijuar edhe 203 mijë vende të reja pune, gjatë muajit të kaluar, nga rreth 517 mijë që krijoi në janar. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 105.6, ndërsa në sesionin e kaluar u rrit me 1.3%. Në anën tjetër, euro ra me rreth 1.2%, duke zbritur pranë 1.055 dollarëve. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin ka zbritur poshtë 22 mijë dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1550 dollarë.

SCAN

Live TV

Të fundit
30 Nëntor

...

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

30 Nëntor

...