Bota Postuar më 8 Mars 2023, 10:52

Përse Afrika nuk përfiton nga pasuria minerare që kërkohet nga e gjithë bota?!

Nga SCAN TV
Përse Afrika nuk përfiton nga pasuria minerare që kërkohet

Në pjesët e Afrikës të pasura me gurë të çmuar, të ardhurat e nxjerra nga mineralet nuk ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së jetesës së popullsisë vendase. Përjashtim bën vetëm Botsvana. Në vend që të rrisin nivelin e jetës së komuniteteve, shumë njerëz e kapin veten të futur në rrethin vicioz të shfrytëzimit dhe abuzimeve.

Në Republikën Demokratike të Kongos, thotë presidenti i Këshillit afrikan të diamantit, M'Zee Fula Ngenge, ekziston një konflikt historik shkaktuar nga "lakmia e madhe, ndarja post-koloniale, si dhe erozioni i zakonshëm i përgjegjshmërisë në sektorin publik dhe menaxhimin qeveritar.”

Ngenge mendon, se vetëm pak njerëz të zgjedhur përfitojnë direkt nga puna e rëndë e minatorëve, duke i paguar punëtorët për minimumin e jetesës, në mënyrë që të vazhdojnë t'i kenë në dorë. Konfliktet rajonale jo vetëm që rrisin këtë përzierjeje kontrolli dhe shfrytëzimi të padrejtë, por bëjnë që aktualisht të mëdhenjtë e tregtisë me gurët e çmuar të përfitojnë, sepse konfliktet u lejojnë atyre që të vendosin për normat e punës bazuar tek nevojat e minatorëve për të siguruar të ardhurat.

Ky skenar konflikti në Kongo është i ngjashëm me ato të vendeve të tjera afrikane, që po ashtu kanë pasuri të mëdha minerare, thotë Ngenge, duke theksuar se shumë kombe të rajonit janë kthyer "në objektiva të synuara (nga industria e gurëve të çmuar) për shkak të mungesës së stabilitetit politik dhe social të tyre.”

E përbashkëta e Kongos, Angolës, Mozambikut dhe shumë vendeve të tjera të Afrikës, të pasura me minerale është fakti se ekzistojnë dy tregje për shfrytëzimin e burimeve minerare: ekziston industria zyrtare e shfrytëzimit të mineraleve, e cila është subjekt që mbikëqyret të paktën deri në një nivel të caktuar, dhe ekziston tregu klandestin, që dominohet nga minatorët dhe sponsorizuesit e tyre.

Tregu klandestin për blerjen dhe shitjen e gurëve të çmuar, veçanërisht diamanteve të nxjerrë nga garimpeirot, është në duar të të huajve, të ndërmjetësve senegalezë, kinezë, francezë, eritreas, guineas dhe kongolezë, të cilët nuk investojnë në rritjen e nivelit të jetës së komunitetit vendas. Kjo gjë madje reflektohet në modelin e tyre të biznesit. Një sponsorizues i jep garimpeirove sendet kryesore për të jetuar në xhungël, dhe vlera e këtyre sendeve i zbritet pagesës që u bëhet garimperoive, kur kthehen për të shitur diamantet.

Të dhënat e Këshillit Afrikan të Diamanteve tregojnë se nga shitja kontrabandë e diamanteve të papërpunuar që e kanë origjinën nga Afrika, rajoni humbet mesatarisht 28 deri 32 % të të ardhurave të nxjerra nga prodhimi i përgjithshëm i diamanteve në Afrikë. Ngenge, thotë se kjo humbje ka të bëjë veçanërisht me diamantet e papërpunuar dhe natyrorë, që nuk janë të dokumentuar ose të certifikuar, të cilët kontrabandohen në qendrat kryesore të diamanteve, që ndodhen jashtë kontinentit.

Në këtë mënyrë tarifat doganore dhe faturat e tjera nuk paguhen, origjina e gurëve të çmuar fshihet, standardet e punës anashkalohen dhe dinamikat e gjithë industrisë që mbështetet tek parimet e kërkesës dhe ofertës manipulohen.

Sipas Këshillit Afrikan të Diamanteve, mënyra e vetme për të luftuar aktivitete të tilla është luftimi me forcë i varfërisë në komunitetet e prekura nga kjo gjë, dhe sigurimi i nxjerrjes së diamanteve sipas rregullave të duhura. DW

E . S / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat