Shqipëria Postuar më 10 Korrik 2023, 15:17

Pastrimi i parave, “rrëzohet” Tabaku - Nuk votohen ndryshimet ligjore, deputetja: Dalja nga lista gri e MoneyVal është urgjente

Nga SCAN TV
Pastrimi i parave, “rrëzohet” Tabaku - Nuk votohen ndryshimet

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese rrëzoi 2 projektligjet e deputetes Jorida Tabaku, që synonin luftën kundër pastrimit të parave që fshihet në sektorin e ndërtimit dhe daljen nga lista gri e MoneyVal. Deputetët e mazhorancës votuan kundër ndryshimeve në ligjin ”Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” dhe “Për investimet strategjike”, por sipas Tabakut është koha që Partia Socialiste, me forcën e kartonit që zotëron, të marrë masa në këtë drejtim.

Ndërkaq, kreu i Komisionit  bëri me dije se tashmë qeveria po punon për disa ndryshime ligjore, në këtë drejtim.

Më herët Tabaku ka deklaruar se aktualisht, vetëm 8% e vlerës së ndërtimit kalon në bankë në një pjesë dërrmuese të ndërtimeve në Tiranë, ndërkohë që nga 114 kompani që marrin leje ndertimi, 60% nuk justifikojnë burimet financiare. Sipas saj, Shqipëria rrezikon konferencën e parë ndërqeveritare si pasojë e kësaj situate.

Ndërkohë, pak ditë më parë Moneyval, mekanizmi i Këshillit të Europës që bën vlerësimin e rrezikut të pastrimit të parave, i ka dhënë notë pozitive Shqipërisë për masat që ka marrë në përmbushjen e angazhimeve në këtë drejtim.

Në raportin e publikuar nga Këshilli i Europës evidentohet përmbushja e dy rekomandimeve kryesore, 25 dhe 28 të dhëna nga Task Forca e Veprimit Financiar e Moneyval, që lidhen me transparencën dhe pronësisë përfituese si dhe me mbikëqyrjen e bizneseve dhe profesioneve të caktuara jofinanciare.

Në këtë kontekst, me përmbushjen e këtyre dy rekomandimeve, sipas Moneyval ,Shqipëria ka bërë përparim në adresimin e shumicës së mangësive të përputhshmërisë teknike të identifikuara në Raportin e saj të Vlerësimit të Ndërsjelltë të vitit 2018.

Shqipëria pritet të raportojë pas 2 vitesh në MONEYVAL për progresin e mëtejshëm të bërë drejt forcimit të sistemit të saj të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në vitin 2018, Shqipëria, sëbashku me disa vende të tjera të Europës u përfshi në listën e vendeve me monitorim të shtuar.

Në këtë rast, sikurse evidenton raporti i Moneyval, brenda 3 vitesh “Shqipëria ka arritur pritshmëritë duke adresuar shumicën e mangësive”. Rezultatet e këtij raporti, sinjalizojnë mundësinë që Shqipëria, në vlerësimin e radhës, të dalë nga lista e vendeve me monitorim të shtuar, pasi ka arritur pritshmëritë e institucioneve europiane.

Ola Mitre /SCAN

Sondazh

Poll
Europa 10 Korrik

Pse u rrëzua qeveria holandeze?

Për muaj të tërë, kryeministri holandez Mark Rutte negocioi mbi një paketë masash për të reduktuar fluksin e emigrantëve të rinj që mbërrinin në vendin me afro......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat