Shqipëria Postuar më 21 Tetor 2025, 14:20

Pensionistët, më shumë para’ në fundvit - Ndryshon sërish buxheti i shtetit 2025. Projektet infrastrukturore, 6 mld lekë shtesë

Nga Elisabeta Dosku

Pensionistët, më shumë para’ në fundvit - Ndryshon

Pensionistët do të marrin një bonus më të lartë këtë fundvit. Përmes një akti normativ, qeveria ka ndryshuar buxhetin e shtetit, ku fondi i dedikuar për bonusin e fundvitit do të jetë 5.9 miliardë lekë apo 59 milionë euro. 

Referuar relacionit, ky ndryshim bëhet nisur nga realizimi i pritshëm i kontributeve për vitin 2025, të cilat rezultojnë me tejkalim, si edhe me qëllim përmirësimin e nivelit të plotësimit të nevojave të pensionistëve dhe adresimin e problematikave ekonomike me të cilat kjo kategori e shoqërisë përballet.

Shpërblimi i fundvitit për 756 mijë pensionistë, i cili në vijimësi ka shënuar si rritje të frekuencës, si edhe një trend rritës të masës së përfitimit, ka gjithmonë në fokus përmirësimin e nivelit të plotësimit të nevojave të kësaj kategorie.

Nga ana tjetër, shpenzimet kapitale me financim të brendshëm shtohen me 7.97 miliardë lekë,  nga të cilat rreth 6 miliardë lekë shkojnë si shtesë për avancimin e projekteve të ndryshme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

 Konkretisht: 2.4 mld lekë në transportin rrugor për projekte me performancë të mirë, për të cilat avancohet financimi nga viti 2026, duke krijuar hapësirë në atë vit për projektet e reja, si: “Ndërtim rruga lidhëse Tiranë – Elbasan me korridorin VIII”; “Arredim, rikualifikim urban, Superstrada Tiranë–Durrës (Faza I– III)”; “Ndërtim rruga Kashar – Nyja Vaqarr (Faza III)”; “Spostim i linjave të tensionit të lartë në aksin, korridori VIII”.

Në programin e transportit ajror 3 miliardë lekë do të shkojnë për mbështetjen e Albcontrol-it në formën e transfertës kapitale, për shkak të vështirësive të funksionimit pas bllokimit të llogarive.

Në programin “Mbështetje për energjinë” 203 milionë lekë shkojnë për mbylljen e detyrimeve të disa institucioneve (AIE, AKBN, aparati i MIE-s etj.)

Në programin e transportit hekurudhor 364 milionë lekë për vitin 2025 për zbatimin e projektit të linjës hekurudhore “Terminali i transportit publik – stacioni i trenit Tiranë (4 km)”, si zgjatim i linjës Durrës– Tiranë, me vlerë totale 1.8 miliardë lekë.

Në programe të tjera rreth 50mln lekë për programin “Mbështetje për industrinë dhe mbështetje për burimet natyrore”.

Ndryshimet në buxhet janë bërë si rrjedhim I ndryshimeve në kabinetin qeveritar dhe rialokimin e fondeve për institucione që kanë qenë të pa mbuluara si dhe performancës së mirë të të ardhurave në 9-mujor.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat