Shqipëria Postuar më 24 Korrik 2023, 13:57

Paraja jashtë bankave, vlera rekord në Qershor - Në total 403.7 miliardë lekë cash, nga 399,5 miliardë në muajin prill

Nga SCAN TV
Paraja jashtë bankave, vlera rekord në Qershor - Në total 403.7

Pas një rënie të lehtë në fillim të vitit, paraja në qarkullim jashtë sistemit bankar është rritur në mënyrë të dukshme për të arritur në vlera rekord në qershor. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë,  jashtë sistemit bankar kanë qarkulluar 403.7 miliardë lekë, nga 399,5 miliardë në muajin prill. Volumi është edhe më i lartë se në muajin janar të këtij viti, kur u regjistrua një tjetër rekord prej thuajse 402 miliardë lekësh jashtë sistemit bankar.

Shifrat janë shumë më të larta po t’i karahasojmë me një vit më parë. Në janarin e vitit 2022, totali i parave që qarkullonin jashtë bankave ishte pak më shumë se 376 miliardë lekë, thuajse 25 miliardë lekë, apo rreth 250 milionë euro më pak nga sa qarkullojnë aktualisht. Ky tregues ka ardhur në rritje përgjatë gjithë vitit të shkuar për të kulmuar në fund të tij në mbi 400 miliardë lekë.

Ndërkohë që si fenomen i përket periudhës së Pandemisë. Të dhënat historike tregojnë se në 2020-n, është shënuar rritja më e fortë vjetore, me 53 miliardë lekë, ose +18%, që nga viti 2002. Në fund të vitit 2020, jashtë sistemit bankar qarkullonin 344 miliardë lekë (2.8 miliardë euro), sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Në raport me paranë gjithsej, jashtë sistemit bankar qarkullonte në fund të dhjetorit të vitit 2019, 23.6% e totalit. Paraja jashtë bankave ka pasur tendencë rritëse të vazhdueshme duke pasqyruar edhe nivelin e lartë të informalitetit të ekonomisë shqiptare.

Lorenc Rabeta/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat