Shqipëria Postuar më 1 Dhjetor 2023, 12:33

Pagesat me kartë, turizmi rrit 35% numrin e POS-eve - Në total 18.570 pika shitjeje në 2023. Por, mbetemi të fundit në rajon dhe Europë

Nga SCAN TV

Shtimi i pikave të shitjes përmes kartave bankare, ose POS-eve, siç i njohim në jetën e përditëshme është një prej efekteve më të dukshme të bumit të turizmit, veccanërisht gjatë këtij viti. Banka e Shqipërisë raporton se numri i POS-eve në fund të tremujorit të tretë të vitit është rritur me 14.4% krahasuar me fundin e viti 2022. Nga 16,227 në fund të vitit 2022, numri i POS-eve në gjithë territorin është rritur në 18,570. Ndërkohë që krahasuar me fundin e viti 2021, numri i pikave të shitjes përmes kartave bankare rezulton në rritje me plot 35.1%.

Paralelisht në rritje ka ardhur edhe numri i ATM-ve, i cili nga  855 në fund të vitit 2022, ka shkuar në 944 në fund të nëntëmujorit. Shoqata shqiptare e bankave, e pyetur nga Televizion Scan e lidh këtë rritje me ecurinë e turizmit, duke nënvizuar se pjesa dërrmuese e paisjeve të reja janë instaluar pikërisht në zonat më të frekuentuara nga turistët.

Sipas saj, veçanërisht prania e lartë e turistëve të huaj dhe preferenca e tyre për të përdorur kartat bankare për blerjet apo pagesat ka nxitur shumë biznese të instalojnë POS-e. Numrat, sipas shoqatës, priten në rritje, jo vetëm për shkak të flukseve të turistëve, por edhe të hedhjes në qarkullim të kartave bazike bankare, ligji për të cilat sapo është miratuar nga Qeveria.

Por me gjithë shtimin e fortë të dy viteve të fundit, blerjet përmes pikave të shitjes me karta bankare mbeten ende në nivele të ulëta në vend, krahasuar jo vetëm me vendet e zhvilluara, por edhe me ato të rajonit. Aktualisht, përhapja e POS-eve në vend rezulton 619 njësi për 100 mijë banorë, ndërkohë që sipas të dhënave të Shoqatës Europiane për Transaksionet e Sigurta, me një popullsi prej 6.6 milionë banorësh, Serbia numëron 129,980 POS-e, ose 1,969 njësi për 100 mijë banorë.

Kosova në fund të vitit 2022 raporton 14,769 POS-e, me një shpërndarje prej 777 POS-e për 100 mijë banorë. Me një popullsi prej 2.1 milionë banorësh, Sllovenia numëron 34 mijë POS-e, me një përhapje prej 1,666 njësish për 100 mijë banorë.

Ndërkohë që shifrat janë të pakrahasueshme me vende të zhviluara si Kroacia, ku numri i POS-eve për 100 mijë banorë rezulton 3,300 sipas të dhënave të Shoqatës Europiane për Transaksionet e Sigurta.

Lorenc Rabeta/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat