Shqipëria Postuar më 26 Tetor 2024, 11:25

Ngrihet regjistri për kthimin e garancive shtetërore - Si do funksionojë/ Të dhënat do të përdoren për mbledhjen e borxhit

Nga SCAN TV
Ngrihet regjistri për kthimin e garancive shtetërore - Si do

Elisabeta Dosku/ SCAN

 

Qeveria ka vendosur krijimin e regjistrit për kthimin e garancive shtetërore për mbajtjen, arkivimin dhe përditësimin e të dhënave të garancive e mbledhjen e të gjithë dokumentacionit dhe raportimeve të huadhënësve.

Referuar vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare,  regjistri për kthimin e garancive shtetërore, si bazë të dhënash, funksionon, administrohet dhe ndërvepron me bazat e tjera të të dhënave, në përputhje me rregullat e legjislacionit në fuqi për bazat e të dhënave shtetëror.

Të dhënat që përmban regjistri për kthimin e garancive shtetërore ndahen në të dhëna parësore dhe dytësore. Ndër të dhënat parësore për menaxhimin e garancive shtetërore do të konsiderohen kodi i identifikimit; produkti; përshkrim-veprimi; data e pagesës; shuma e disbursuar; statusi i këstit të principalit; data e shlyerjes së pagesës; principali; përqindja e mbulimit të principalit;  interesi dhe masa e mbulimit të interesit nga garancia; stoku; dokumentacioni në formë PDF-je; të dhëna lidhur me pasuritë e lëna si kolateral apo të sekuestruara; kthimet e garancisë nga huamarrësit.

Të dhëna dytësore për menaxhimin e garancive shtetërore do të konsiderohen; të dhënat për subjektin/personin fizik ose juridik; NIPT-i; të dhënat për gjenealitetet e individit (për personat fizikë, dorëzanësit apo administratorët e subjektit); numrin personal i identifikimit (ID) të subjektit apo të personit fizik; të dhënat e regjistrit tregtar për datën e regjistrimit të subjektit, emrin e subjektit /shoqërisë tregtare, numrin unik të identifikimit të subjektit, llojin e shoqërisë tregtare (formën e organizimit të saj); të dhënat e identifikimit të themeluesve; të dhënat për selinë/vendndodhjen e biznesit apo për administratorit; të dhënat lidhur me pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme; të dhënat mbi statusin e kredisë në bankat e nivelit të dytë; të dhënat për statusin e pagesës së sigurimeve shoqërore.

Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera ndërvepron duke shkëmbyer të dhëna me databazat e regjistrave, me një pjesë të madhe institucionesh që disponojnë të dhëna në vend.

Të dhënat e mbledhura nga regjistri do të përdoren për: mbledhjen e borxhit; menaxhimin e skemave të veçanta të garancive të huas; kthimin e garancive shtetërore të huas; kthimin e huave dhe nënhuave të dhëna nga ministri përgjegjës për financat; verifikimin e aftësisë paguese të subjekteve huamarrëse, për të cilat është kryer pagesa e garancisë në secilën prej skemave të garancive të miratuara, të huave dhe nënhuave, të dhëna nga ministri përgjegjës për financat; përpunimin e analizave statistikore; identifikimin dhe raportimin në kohë reale të të dhënave lidhur me kredimarrësit apo nevoja të ndryshme të procesit të punës.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat