Bota Postuar më 29 Nëntor 2022, 10:20

Nafta Brent rritet me rreth 4 dollarë - BE dështon të arrijë një marrëveshje për tavanin e çmimit të naftës ruse

Nga SCAN TV
Nafta Brent rritet me rreth 4 dollarë - BE dështon të arrijë

Nafta i është rikthyer fitimeve në tregtinë europiane, duke rikuperuar të gjitha humbjet e realizuara në sesionin e kaluar. Megjithatë, fitimet po kufizohen nga protestat kundër masave të Covid-19 në Kinë. Nafta Brent e Londrës është ngjitur pranë 84 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 78 dollarë për fuçi. Më herët gjatë sesionit të kaluar, nafta Brent ra me mbi 3% duke prekur nivelin më të ulët që nga 4 janari, prej 80.6 dollarë për fuçi.

Gjithsesi, ecuria e tregut do të përcaktohet edhe nga takimi i ardhshëm i OPEC+ dhe nga tavani që do të vendosin vendet e G7-ës dhe të Bashkimit Europian ndaj çmimeve të naftës ruse. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e tjerë, me në krye Rusinë, që ndryshe njihen si OPEC+ do të takohen më 4 dhjetor, një ditë përpara se Bashkimi Europian të zbatojë embargon ndaj naftës bruto ruse. Por, vendet e Bashkimit Europian dështuan të hënën të arrinin një marrëveshje për tavanin e çmimeve të naftës, pasi Polonia këmbënguli se tavani duhet të jetë poshtë propozimit të bërë nga G7-a.

Ndërkohë, vala e mosbindjes civile në Kinë është përhapur në qytetet më të mëdha dhe është më e madhja që kur presidenti Xi Jinping mori pushtetin rreth 1 dekadë më parë. Njerëzit shprehen të lodhur nga politika “zero-Covid”, e cila është ende në fuqi rreth 3 vite pas fillimit të pandemisë. Në këtë situatë, analistët parashikojnë se nafta Bruto amerikane do të tregtohet në intervalin nga 70 deri në 75 dollarë për fuçi.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat