Bota Postuar më 9 Dhjetor 2022, 12:15

Më e keqja ende duhet të vijë! - Institucionet financiare parashikojnë për një vit të vështirë si pasojë e inflacionit

Nga SCAN TV
Më e keqja ende duhet të vijë! - Institucionet financiare

Në të gjithë globin, njerëzit po përballen me nivele të inflacionit që nuk shiheshin prej dekadash, në një kohë që çmimet për produktet kryesore si ushqimet, ngrohja, transportin dhe akomodimin vetëm po rriten. Dhe nëse mendohet se kulmi mund të jetë pranë, pasojat mund të jenë dhe më të këqija. Dhe arsyet për këtë situatë janë dy: pandemia e Covid dhe lufta në Ukrainë.

Një periudhë e gjatë dhe e qëndrueshme e inflacionit të ulët dhe normave të ulëta të interesit, përfundoi në mënyrë të papritur pas pandemisë së Covid 19, në një kohë që qeveritë dhe bankat qendrore mbështetën bisneset dhe familjet me triliona dollarë.

Kjo mënyrë shpëtimi ndihmoi të punësuarit të mos mbeteshin pa para, bizneset që të mos falimentonin dhe mos rënien drastike të çmimeve të shtëpive. Por në të njëjtën kohë rrëzoi ofertën dhe kërkesën si kurrë më parë.

Në vitin 2021 kur iu dha fund mbylljes së vendeve për shkak të pandemisë dhe ekonomia globale u rrit me ritmin e saj më të shpejtë pas recesionit të 80 viteve më parë, ajo sasi stimuluese parash pushtoi sistemin tregtar në botë.

Fabrikat që kishin ndaluar aktivitetet nuk mund të ngriheshin brenda një kohe aq të shkurtër sa të plotësonin kërkesën; rregullat kundër covid shkaktuan mungesa të fuqisë punëtorë në sektorin e shitjeve me pakicë, transport dhe kujdes shëndetësor. Ndërsa rimëkëmbja e shpejtë shkaktoi një rritje të çmimeve të energjisë.

Sikur kjo të mos mjaftonte, Rusia pushtoi Ukrainën në fillim të këtij viti dhe sanksionet perëndimore ndaj eksportuesit kryesor të naftës dhe gazit shkaktuan një rritje të fortë të çmimeve të karburantit.

E njohur ndryshe si “taksa ndaj të varfërve” – sepse prek kryesisht ata me të ardhura të ulëta – inflacioni dyshifror ka përkeqësuar dhe më shumë pabarazitë në të gjithë botën. Ndërsa konsumatorët më të pasur mund të mbështeten në kursimet e krijuara gjatë bllokimeve të pandemisë, të tjerët luftojnë për të përballuar jetesën dhe një numër në rritje qytetarësh mbështetet tek bankat e ushqimit për të konsumuar një vakt.

Me ardhjen e dimrit në të gjithë hemisferën veriore, ky presion i kostos së jetesës do të sgtohet në një kohë që çmimi i karburanteve vijon të rritet. Punëtorët kanë nisur grevat në sektorë të ndryshëm nga shëndetësia e deri tek aviacioni duke kërkuar që pagat e tyre të ruajnë ritmin me inflacionin. Por në shumicën e rasteve ata duhet të kënaqen me pak.

Shqetësimet për koston e jetesës dominojnë politikën e kombeve të pasura, në disa raste duke lënë pas dore prioritete të reja sindryshimet klimatike. Ndërsa rënia e fundit e çmimit të benzinës ka lehtësuar një pjesë të presionit, inflacioni mbetet në qendër të vëmendjes për presidentin amerikan Joe Biden. Ndërkohë Emmanuel Macron i Francës dhe Olaf Scholz i Gjermanisë po zgjerojnë buxhetet e tyre për të kanalizuar miliarda euro në programe mbështetëse.

Por nëse situata është e vështirë në ekonomitë e industrializuara, rritja e çmimeve të ushqimeve po përkeqëson varfërinë dhe vuajtjen në vendte më të varfëra, nga Haiti, Sudan, Liban dhe Sri Lanka. Programi botëror i ushqimit vlerëson se rreth 70 milion njerëz më shumë në mbarë botën i janë afruar më pranë urisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë në atë që e cilëson si një “cunami urie”

Bankat Qendrore në botë vazhdojnë rritjen e madhe të normave të interesit për të ulur kërkesën dhe për të zbutur inflacionin. Deri në fund të vitit 2023, Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që inflacioni global të ketë rënë në 4.7% - vetëm më pak se gjysma e nivelit aktual.

Objektivi është një ‘rënie e butë’ gjatë së cilës ftohja ndodh pa përplasje të tregut të banesave, falimentimi biznesi ose rritje të papunësisë. Por një skenar i tillë rezulton i parealizueshëm përballë inflacionit të lartë në shumë vende.

Nga shefi i Rezervës Federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jerome Poëell, tek Christine Lagarde e Bankës Qendrore Europiane, po flitet gjithnjë e më shumë se ilaçi për rritjen e normave mund të ketë shije të hidhur. Për më tepër, rreziqet që rrethojnë pasiguritë e mëdha – lufta në Ukrainë, tensionet midis Kinës dhe Perëndimit – janë anuar drejt rënies.

Parashikimet e FMN në tetor ishin një nga më të zymtat prej vitesh: “Me pak fjalë, më e keqja nuk ka ardhur ende dhe për shumë njerëz, 2023 do të ndihet si një recesion.”

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat