Shqipëria Postuar më 23 Maj 2022, 12:14

“Mbyllni hetimin për publikimin e pagave” - Të dhënat personale/ Kuvendi, “ultimatium” Komisionerit. Rama synon t’i publikojë çdo vit 

Nga SCAN TV

Kuvendi i kërkon Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të përmbyllë hetimin administrativ, mbi publikimin e databazës me të dhënat e pagave të qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe privat si dhe databazës me të dhënat e targave të automjeteve. Gjithçka përcaktohet në rezolutën e miratuar nga Kuvendi për këtë institucion të pavarur, duke specifikuar se ky hetim duhet të përmbyllet brenda këtij viti.

Hetimi nisi në fund të vitit të kaluar, kur të dhënat personale të qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe privat, duke përfshirë pagat dhe numrat e celularëve u bënë publike. Në atë kohë, Zyra e Komisionerit i bëri thirrje të gjithë individëve apo subjekteve publike/private që dispononin këtë bazë të dhënash personale, të mos e transmetonin, qarkullonin apo publikonin, duke rënduar situatën në kuadër të pasojave që mund të vijnë në lidhje me të drejtën për respektimin e jetës private.

“Qarkullimi online apo dhe publikimi në media i të dhënave të qytetarëve rezulton se është një veprim i kundërligjshëm, i papërgjegjshëm dhe i bëhet thirrje organeve mediatike dhe publikut të mos bëhen përhapës të paligjshëm të të dhënave personale”, - dekalroi Zyra e Komisionerit në atë kohë. Ndërkaq, në një njoftim të dytë, Zyra e Komisionerit vlerësoi se kjo ngjarje mund të shkaktojë pasoja të rënda për jetën private, profesionale dhe familjare të qytetarëve dhe përbën një shkelje shumë të rëndë të lirive dhe të drejtave themelore të tyre të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë.

Megjithatë, pavarësisht këtyre qëndrimeve pak ditë më parë kryeministri Edi Rama deklaroi se po shqyrtohet mundësia që publikimi i pagave të jetë një praktikë e përvitshme, që do të ndërmerret nga vetë qeveria, si një formë për të rritur deklarimin real të pagave.  Ndërkohë që, ndonëse këto deklarata ishin publike, nga Zyra e Komisionerit nuk pati asnjë reagim.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat