Shqipëria Postuar më 12 Janar 2024, 13:02

Leku e mbyll javën në qëndrueshmëri - Euro dhe dollari rriten lehtë përballë monedhës vendase

Nga SCAN TV
Leku e mbyll javën në qëndrueshmëri - Euro dhe dollari

Java është mbyllur me ndryshime të vogla, në tregun e brendshëm valutor, me euron dhe dollarin që kanë realizuar fitime modeste në raport me lekun. Ndërkohë, edhe në tregjet ndërkombëtare vihet re një qetësi, ndërsa inflacioni i çmimeve konsumatore në SHBA rezultoi më i lartë se parashikimet e tregjeve.

Gjatë ditës së sotme vihet re një rritje e lehtë e monedhave kryesore ndërkombëtare, në raport me lekun në tregun e brendshëm valutor, pas disa ditësh në qëndrueshmëri. Sipas agjencisë së këmbimit valutor, Iliria 98, dollari blihet me 94.5 dhe shitet me 95.4, euro blihet me 103.7 dhe shitet me 104.4, franga zvicerane po këmbehet e pandryshuar dhe blihet me 110.4 dhe shitet me 111.4 lekë, ndërsa paund blihet me 120.2 dhe shitet me 121.2 lekë.

Ndërkohë, edhe në tregjet ndërkombëtare dollari amerikan po tregtohet i qëndrueshëm, ndërsa inflacioni i çmimeve konsumatore në SHBA rezultoi më i lartë se parashikimet e tregjeve. Çmimet e konsumit u rritën me 0.3% me bazë mujore dhe me 3.4% me bazë vjetore, kundrejt parashikimeve të ekonomistëve për një rritje prej 0.2% dhe 3.2% respektivisht. Megjithatë, tregtarët po vlerësojnë një shans 73% për uljen e parë të interesave me 25 pikë bazë, në muajin mars. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 102.2, ndjeshëm më lart nivelit më të ulët në 7 muajt e fundit prej 100.6, që e regjistroi në muajin dhjetor, kur tregtarët filluar të vlerësonin se Rezerva Federale do të ulte interesat në mars. Presidentja e Rezervës Federale të Cleveland, Loretta Mester tha të enjten se shifrat e fundit të inflacionit do të thonë se mund të jetë ende shumë herët për të ulur interesat në mars. Euro po këmbehet në rreth 1.0980 dollarë, ndërsa paundi po këmbehet me rreth 1.277 dollarë.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat