Sejko: Papunësia u reduktua 7% ndërsa borxhi nga 72% në 56% të PBB-së!
Tema e konferencës që u zhvillua sot në Tiranë, nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave ishte “Roli i bankës qendrore dhe sistemit bankar në rrugën drejt BE-së”.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko; Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Bledar Shella, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi, ministri i Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, ministrit të Financave, Petrit Malaj si dhe të ftuar të tjerë nga institucionet e linjës.
Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko tha se, Banka e Shqipërisë është pjesë integrale në procesin e integrimit të vendit në BE, në 5 kapituj.
Sejko tha se, “procesi i integrimit nënkupton edhe një ekspozim në rritje ndaj flukseve financiare në formën e investimeve të portofolit. Këto flukse i shërbejnë zhvillimit të tregut financiar dhe reduktojnë kostot e përgjithshme të financimit në vend. Në këtë kontekst, ne gjykojmë se kuadri aktual rregullator dhe ai i politikës monetare ofrojnë një pikënisje të mirë për adresimin e tyre”.
Duke u ndalur në zhvillimin e ekonomisë , Sejko deklaroi se, “Shqipëria e vitit 2024 ofron një realitet krejtësisht të ndryshëm ekonomik krahasuar me një dekadë më parë, kur vendi mori statusin e kandidatit për anëtarësim. Vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend është rritur nga 10 në 24 miliardë euro, niveli i papunësisë është reduktuar nga 17.5% në 10.7%, dhe të ardhurat mesatare vjetore për frymë janë rritur nga 3500 në 9200 euro”.
Sipas tij, “inflacioni ka shënuar një nivel mesatar prej 2.5% gjatë kësaj periudhe, deficiti i llogarisë korrente është ulur nga thuajse 11% në 2% të PBB-së, borxhi i huaj është reduktuar nga 70% në 44% të PBB-së, ndërsa borxhi publik ka zbritur nga 72% në 56% të PBB-së. Paralelisht me to, sektori bankar ka shfaqur qëndrueshmëri dhe tregues financiarë në përmirësim. Kështu, raporti i kredive me probleme ka zbritur nga thuajse 23% në 4.6%, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ka shënuar një nivel mesatar prej 18%, ndërkohë që sektori bankar ka vijuar të kreditojë ekonominë dhe të shfaqë nivele të larta likuiditeti dhe rentabiliteti.
Konferenca do të jetë e organizuar në tre sesione, ku temat kryesore të bisedimeve do të fokusohen në hapjen e dritës jeshile dhe fillimin në muajin tetor të procesit zyrtar të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian si dhe rolin që kanë në procesin e integrimit bankat qendrore dhe sektori bankar.
Fjala e Presidentit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, zotit Bledar Shella, në konferencën e Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave.
I nderuar Ministër i Financave, zoti Malaj,
E nderuar zonja Kryenegociatore, zonja Dhuka,
I nderuar Guvernator i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko,
I nderuar Kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, zoti Shalsi,
Të nderuar të ftuar dhe kolegë,
Zonja dhe Zotërinj.
Ka një ndryshim historik këtë herë ulja e jonë në këtë sallë të kësaj konference. Asnjëherë më parë nuk kemi qenë kaq afër sa tani me atë pjesë të civilizimit, ekonomisë avangardë dhe shoqërisë së lirë ku pozicioni ynë gjeografik na ka vendosur.
Është ky moment që kësaj konference i jep vlerë të veçantë dhe rrit interesin tonë maksimalisht. Sfida është politike, shoqërore, administrative dhe ekonomike.
Me këto në mendje dhe në prioritet të punës sonë, dakordësuam me Bankën e Shqipërisë për të organizuar këtë konferencë me qëllim të prezantimit të sfidave tona kryesore. Industria bankare është pjesë e ekonomisë dhe shumë gjëra do të shkojnë krah për krah. Por ajo ka edhe veçoritë e veta. Duke filluar me politikën monetare, me mbikëqyrjen, me anën ligjore, me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar, me sigurimin e depozitave, me ndërhyrjen e jashtëzakonshme dhe me sistemin e pagesave. Veprimtaria bankare, e cila prej disa vitesh, në fakt, është duke iu përshtatur ndryshimeve rregullative në përputhje me standardet e BE-së, nuk vjen në këtë territor e zbrazët. Tashmë edhe qëndrimet dhe oponenca jonë ndaj ndryshimeve udhëhiqen plotësisht nga fakti nëse këto ndryshime janë në përputhje me standardet e BE-së apo jo. Kjo na ka bërë të provojmë më shpejt barrën e ngarkesës dhe të përgjegjësisë për t’i shkuar këtij procesi pa rezistencë, por me dëshirë, me energji dhe besim.
Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se sfida e integrimit të industrisë bankare nëpërmjet plotësimit dhe zbatimit të kuadrit ligjor dhe rregullativ të BE-së dhe institucioneve të saj do përfshirjen e të gjithëve ne – qeverisë, ligjvënësit, Bankës së Shqipërisë, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Njësisë së Inteligjencës Financiare, dhe bankave. Sa më të harmonizuara këto institucione dhe sa më të përfshirë edhe ne aktorët e tregut, aq më mirë do të jetë për reformat që na presin.
Tani nuk ka më kohë. Ndoshta para disa vitesh ishim ne që kërkonim te autoritetet më shumë durim dhe shtyrje të afateve të zbatimit të standardeve për sa kohë nuk dukej në horizont një datë e afërt e anëtarësimit në BE. Sot flasim ndryshe. Sepse kemi një horizont kohor të përcaktuar – viti 2030. Dhe në këtë afat kohor industria bankare nuk mund të mos jetë pjesë kontribuese, mbështetëse dhe zbatuese e reformave që na presin.
Ne sapo mbyllëm me sukses Open Banking, e gjitha në zbatim të PSD2. Tani presim vendimin për të qenë pjesë e SEPA. Digjitalizimi, duke zbatuar kërkesat e rrepta për sigurinë kibernetike dhe për mbrojtjen e të dhënave personale, ka përfshirë çdo aspekt të veprimtarisë bankare – që nga onboarding, nënshkrimi elektronik, shërbimet, pagesat utilitare, pagesat për shërbimet publike, kontrolli i llogarisë, këmbimet, etj., të gjitha në një telefon smart. Të ndërgjegjshëm se akoma kemi për të bërë për përfshirjen financiare, edhe pse me ligjin për llogarinë bazike, tashmë ekziston produkti për të tërhequr më shumë qytetarë në bankë.
Industria bankare është në një moment shumë të mirë të zhvillimit të saj. Vetëm për 9 mujorin e këtij viti, sektori bankar ka dhënë rreth 281 miliardë lekë kredi për ekonominë, në rritje me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Raporti i kredive me probleme ka rënë në 4.58%, niveli më minimal në 16 vitet e fundit. Rritja vjetore e depozitave 4.1%. 63% e numrit të pagesave kryhen në kanalet elektronike. Edhe vlera e përgjithshme e pagesave në këto kanale është rritur në 41%. 34% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti.
Pa u thelluar më tej në analiza më të detajuara, më lejoni të theksoj se ne jetojmë në një kohë ku zhvillimet janë dinamike dhe gjërat ndryshojnë vazhdimisht. Interesi ynë është maksimal se si do të veprohet me afatet për plotësimin e MREL për bankat sistemike, kur do të kemi ligj të ri për bankën qendrore dhe bankat e nivelit të dytë, si mund të ndryshohet skema e sigurimit të depozitave, dhe kur do të jemi gati për instant payments.
Këto dhe të tjera janë në listën e detyrave dhe kërkesave tona në mënyrë që t’u paraprijmë në kohë afateve. Me zërin tonë të bashkuar dhe unifikuar, ne do të mbetemi kërkues që reformat të kuptohen, shkruhen qartë dhe zbatohen më së miri.
Edhe pse përshtatja e legjislacionit që kërkohet është pothuajse e përcaktuar nga direktivat e BE-së, sërish roli ynë është i domosdoshëm. Standardet e reja duhen kuptuar mirë, ka nevojë për edukim dhe trajnim të stafeve që do t’i zbatojnë ato, por ka nevojë edhe për edukim të publikut për t’i kuptuar. Duke filluar që nga PSD2 dhe SEPA e në vazhdim për të tjerat. Ne si AAB na takon të jemi në krye të këtij procesi duke i trajtuar me prioritet sipas agjendës.
Roli i industrisë bankare dhe kontributi i saj në zhvillimin e ekonomisë është i padiskutueshëm. Ne jemi krenarë që, pasi kaluam pasojat e krizës së 2008 – 2010 dhe ato të viteve 2019 e mbrapa (tërmeti, pandemia, lufta në Ukrainë, inflacioni), industria bankare rezultoi e fuqizuar, e mirëkapitalizuar sipas kërkesave të Bankës së Shqipërisë, me rritje të veprimtarisë kredituese, më shumë besim të publikut te bankat, më shumë digjitalizim dhe më shumë hapje ndaj publikut. Këtë trend pozitiv duhet ta forcojmë dhe përmirësojmë gjatë procesit të reformave që na bashkojnë me BE-në.
Besimplotë dhe optimistë për përballimin e sfidave që na presin, i uroj shumë suksese konferencës!
Faleminderit!
Sondazh

Krijohet kompania Shqiptaro-Arabe për letrat me vlerë - Si do të funksionojë dhe për çfarë do të jetë përgjegjëse?
Qeveria shqiptare dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po krijojnë një kompani të përbashkët publike të shtypshkrimit të letrave me vlerë. Lajmi është dhënë nga......

Pilotët e Kosovës stërviten në Bazën Ajrore të Farkës - Shqipëri- Kosovë bashkëpunim për rritjen e sigurisë
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se ka në fokus bashkëpunimin për rritjen e nivelit të kapaciteteve njerëzore me Kosovën. Andaj, përveç Kolegjit të......

Elon Musk do të jetë “gërshëra” e Trump - Emërohet në krye të Departamentit të Efikasitetit
Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump emëroi Elon Musk në krye të Departamentit të Efikasitetit, një agjenci të re që do të fokusohet në reduktimin e......

Detajet e projektit/ Si do të bëhet gazifikimi i Korçës? - Dokumenti: 13.3 mln euro duhet të investohen nga rezidentët
Albgaz dhe SOCAR i Azerbajxhanit do të nisin pas pak muajsh zbatimin e projektit të gazifikimit të Korçës. Projekti që parashikohet të nisë gjatë vitit 2025,......

Çfarë propozohet për qeverisjen vendore? - Haxhimali: Kemi kërkuar rritje të buxhetit nga 5-10%
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka prezantuar një projekt - buxhet për pushtetin vendor përvitin 2025 si më poshtë: Për vitin 2025 buxheti vendor, sipas......

Bitcoin thyen rekord - Rritet në 90 mijë dollarë me përkrahjen e administratës Trump!
Bitcoin u mblodh në kufirin e 90,000 dollarëve të martën, duke kaluar një valë euforie që nga zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-së, me pritshmëritë......

Bien çmimet e naftës teksa Trump sinjalizon rritjen e mbështetjes për më shumë shpime
Mbështetja e zëshme e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për më shumë shpime në SHBA ka kontribuar në çmimet e paqëndrueshme të naftës, me çmimet e naftës......

Nënshkruhet marrëveshja për gazifikimin e Korçës - Balluku: Projekti do nis gjatë 2025 dhe dorëzohet në 2027
Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u takuan në Baku me presidentin e......