Shqipëria Postuar më 14 Prill 2026, 11:49

Sa “peshë” ka diaspora shqiptare? Pa remitancat, niveli i varfërisë do të ishte rreth 30 pikë përqindje më i lartë

Nga Scan TV

Sa “peshë” ka diaspora shqiptare? Pa remitancat, niveli i

Diaspora shqiptare vijon të mbetet një mbështetje kyçe për ekonominë e vendit, jo vetëm përmes lidhjes demografike me Shqipërinë, por sidomos përmes parave që dërgon te familjet. Të dhënat tregojnë se remitancat kanë një peshë të ndjeshme në ekonomi, ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e varfërisë dhe mbajnë në këmbë konsumin e mijëra familjeve, edhe pse ende po përdoren shumë pak për investime dhe zhvillim afatgjatë.

Sipas të dhënave nga “Banka e Shqipërisë” dhe INSTAT, remitancat kanë qenë afër 4.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2025 dhe kanë përbërë 18% të të ardhurave familjare në vitin 2022 sipas “Bankës Botërore”. Për një në katër familje përfituese, ato kanë qenë burimi i vetëm i të ardhurave. I njëjti raport thekson se, në mungesë të remitancave, niveli i varfërisë do të ishte rreth 30 pikë përqindje më i lartë.

Këto të dhëna e vendosin diasporën në një rol që shkon përtej ndihmës familjare. Ajo funksionon si një amortizator real social dhe ekonomik, duke zbutur goditjet financiare për shumë familje dhe duke mbajtur gjallë konsumin në vend.

Një panoramë më konkrete e këtij ndikimi jepet nga Anketa e Migracionit 2024. Sipas saj, rreth gjysma e familjeve me emigrantë kanë marrë remitanca gjatë 12 muajve para anketës. Për këto familje, paratë e ardhura nga jashtë kanë përbërë mesatarisht 41% të të ardhurave totale.

Megjithatë, përdorimi i këtyre parave mbetet i përqendruar kryesisht te nevojat bazë. Rreth 90% e familjeve i përdorin remitancat për ushqim dhe shpenzime të përditshme, 36% për shpenzime mjekësore dhe 30% për arsim. Në të kundërt, më pak se 2% e tyre shkojnë për zgjerim biznesi apo investime prodhuese.

Kjo tregon se remitancat po luajnë një rol vendimtar në mbajtjen e konsumit dhe të një niveli minimal mirëqenieje, por ende nuk po kthehen në një instrument të fortë zhvillimi ekonomik.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat