Shqipëria Postuar më 14 Prill 2026, 10:01

Tregu i sigurimeve konsolidon pozicionin financiar - Sipas AMF, “Jo-Jeta” mbetet kontribuesi kryesor në rezultat

Nga Ernilda Luzi

Tregu i sigurimeve konsolidon pozicionin financiar - Sipas AMF,

Gjatë vitit 2025, tregu i sigurimeve ka konsoliduar më tej pozicionin e tij financiar, duke reflektuar një përmirësim të ndjeshëm të performancës krahasuar me vitin 2024. Rreferuar raportit të AMF, në tërësi rezultati financiar për periudhën e fundit të vitit 2025 rezultoi në vlerën 3,131 miliardë lekë.

Tregu i sigurimeve Jo-Jetë mbetet kontribuesi kryesor në rezultat, me një fitim prej 2,710 miliardë lekë, ndërsa sigurimet e Jetës realizuan një fitim prej 421 milionë lekë, duke ruajtur një profil të qëndrueshëm rritjeje dhe stabiliteti financiar.

Rezultati financiar në tregun e Jo-Jetës për vitin 2025 është ndikuar kryesisht nga rritja e primeve të shkruara bruto me 2,223 miliardë lekë duke raportuar një nivel prej 24,661 miliardë lekë në fund të vitit 2025. Ndërkohë shpenzimet operative regjistrojnë një rritje prej 5% krahasuar me vitin e kaluar.

Në tregun e Jetës rezultati financiar, është ndikuar nga rritja e primeve të shkruara bruto, të cilat për vitin 2025 kanë arritur në nivelin 2,436 miliardë lekë nga 2,070 miliardë lekë të raportuara për vitin 2024. Të ardhurat nga investimet janë rritur në masën 235 milionë lekë ose 143% krahasuar me 2024. Dëmet e paguara neto në raport me primet e fituara neto në fund të vitit 2025, për tregun e Jo-Jetës rezultuan në nivelin 38.4% nga 40.6% një vit më parë.

Për tregun e Jetës raporti dëme/prime neto për vitin 2025 është 17.5% nga 20.4% në fundin e vitit 2024. Kjo rënie reflekton kryesisht një nivel më të ulët të ngjarjeve të raportuara dhe rrjedhimisht një volum më të reduktuar të dëmeve të paguara gjatë periudhës, në linjë me natyrën afatgjatë të sigurimit të jetës.

Raporti i shpenzimeve i cili përllogaritet ndaj totalit të primeve bruto, për periudhën raportuese në tregun e Jo Jetës rezulton me një ulje të lehtë vjetore në rreth 50.9% përkundrejt 51.7% një vit me parë.

Për tregun e Jetës ky raport pothuajse nuk ka pësuar ndryshime duke ruajtur pak a shumë të njëjtin nivel.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat