Europa Postuar më 1 Maj 2025, 11:41

Më shumë “liri” për shpenzimet e mbrojtjes -16 shtete të BE-së kërkojnë fleksibilitet për të forcuar ushtrinë

Nga Kristi Ceta

Më shumë “liri” për shpenzimet e mbrojtjes -16 shtete

Më shumë se gjysma e vendeve në Bashkimin Evropian planifikojnë të aktivizojnë një klauzolë emergjence që u lejon atyre të bëjnë investime për mbrojtjen përtej kufijve të shpenzimeve buxhetore të bllokut.

Belgjika, Bullgaria, Çekia, Danimarka, Gjermania, Estonia, Greqia, Kroacia, Letonia, Lituania, Hungaria, Polonia, Portugalia, Sllovenia, Sllovakia dhe Finlanda kërkojnë fleksibilitet më të madh për të rritur kapacitetin e tyre mbrojtës, sipas një deklarate të Këshillit. Dymbëdhjetë prej tyre kanë paraqitur tashmë një kërkesë zyrtare në ekzekutivin e BE-së.

Përjashtimi u jep vendeve hapësirë ​​për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes deri në 1.5 përqind të Produktit të tyre të Brendshëm Bruto çdo vit për katër vjet, pa shkelur rregullat fiskale të BE-së.

Gjermania është e vetmja ekonomi e madhe e BE-së që planifikon të përdorë klauzolën. Vendet me buxhete të ngjeshura, si Italia ose Franca, nuk po kërkojnë fleksibilitet fiskal për prokurimin e pajisjeve ushtarake, por as vendet me financa publike shumë më të shëndetshme, si Holanda apo Suedia.

Pavarësisht se i përket grupit të fundit, Danimarka vendosi gjithashtu t'i bashkohet kërkesës. Ministria e Ekonomisë tha se “aktivizimi do të ndihmojë në dërgimin e një sinjali për botën e jashtme, duke treguar se vendet e BE-së janë të bashkuara në përpjekjet për riarmatim."

Ekzekutivi i bllokut i ftoi qeveritë të vendosin sa më shpejt, në mënyrë që të koordinojnë politikën fiskale para tregjeve dhe të aktivizojnë klauzolën tërësisht deri në korrik.

Ministria italiane e Financave është e bindur se qeveria në Romë mund të arrijë objektivin e NATO-s prej 2 përqind duke përfshirë më shumë zëra në buxhetin e mbrojtjes. Vendi do të presë deri në samitin e NATO-s në qershor, kur supozohet të bien dakord të gjitha vendet për objektivat e rinj të shpenzimeve. Shtetet e Bashkuara po shtyjnë përpara rritjen e kostove ushtarake për të gjithë anëtarët, që më pas të shqyrtojnë hapat e mëtejshëm.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat