Shqipëria, për çdo shije dhe buxhet - Nga "perla" e fshehur, në destinacionin e të gjithëve

Turizmi është kthyer në një nga sektorët më të rëndësishëm për ekonominë dhe zhvillimin e vendit, duke u bërë një nga motorët kryesorë të rritjes ekonomike. Që pas periudhës së pandemisë, ky sektor ka shënuar një zhvillim të konsiderueshëm, duke tërhequr investime dhe duke rritur fluksin e turistëve nga brenda dhe jashtë vendit.
Duhet theksuar se vitet 2023 dhe 2024 shënuan një rritje të ndjeshme në turizëm, ndërsa ky vit vazhdon të ruajë të njëjtën tendencë pozitive, duke konfirmuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe progresiv.
Kjo rritje dhe përmirësim është rezultat i një sërë faktorësh që kanë kontribuar ndjeshëm. Linjat ajrore low cost, të cilat kanë lidhur Shqipërinë me shumë tregje kryesore europiane, kanë bërë më të lehtë vizitat e turistëve, ndërsa promovimi i bukurive natyrore dhe historike përmes artikujve dhe mediave ka rritur ndërgjegjësimin dhe interesin për destinacionin. Përmirësimi i vazhdueshëm i ofertës turistike, përfshirë resorte, hotele dhe aktivitete të ndryshme, ka luajtur gjithashtu një rol kyç në tërheqjen e vizitorëve.
Një ndikim të rëndësishëm ka pasur edhe prezenca e Shqipërisë në rrjetet sociale, ku turistët kanë ndarë përvojat e tyre duke evidentuar çmimet ekonimike, mikpritjen dhe bukurinë e vendit.
Nga ana tjetër, bizneset dhe aktorët vendas kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të rritur cilësinë e shërbimeve, standardet e mikpritjes dhe përvojën e përgjithshme të vizitorëve, duke e bërë vendin një destinacion më tërheqës dhe konkurrues në rajon.
Në këtë mënyrë, turizmi vazhdon të mbetet një nga sektorët më dinamikë dhe të rëndësishëm për Shqipërinë, duke kontribuar në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe promovimin e imazhit pozitiv të vendit në arenën ndërkombëtare.
Nëse flasim për sezonin veror, rezulton se Shqipëria ka përjetuar një fluks të konsiderueshëm hyrjesh në territorin e saj, duke konfirmuar edhe një herë pozicionin gjithnjë e më të fortë si destinacion turistik. Megjithatë, këto hyrje jo domosdoshmërisht përkthehen të gjitha në turistë pasi një pjesë e tyre mund të jenë edhe udhëtarë në tranzit, vizitorë me qëllime personale apo shtetas shqiptarë që kthehen për pushime apo arsye familjare. Pavarësisht kësaj, volumi i lartë i qarkullimit dëshmon një interes të fortë dhe të vazhdueshëm për Shqipërinë si destinacion lëvizjeje dhe qëndrimi.
Në total, gjatë periudhës së analizuar, si nga shtetas shqiptarë ashtu edhe nga të huaj, janë regjistruar rreth 18.2 milionë hyrje në pikat kufitare të vendit. Ky numër përfshin të gjitha format e lëvizjes, por mbizotëruese janë udhëtimet për arsye personale, të cilat në afro 98% të rasteve përfshijnë edhe një komponent turistik, apo vizitor. Pra, edhe pse jo çdo hyrje mund të klasifikohet formalisht si turizëm i pastër, në thelb ajo lidhet ngushtë me dëshirën për të qëndruar, eksploruar dhe konsumuar shërbime në territorin shqiptar.
Vetëm gjatë 10 muajve të parë të vitit, në Shqipëri kanë hyrë rreth 11.1 milionë shtetas të huaj. Kjo shifër tregon një intensitet të lartë të lëvizjeve dhe një kërkesë të vazhdueshme për destinacionin Shqipëri, me një rritje prej 6.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kjo rritje, ndonëse e moderuar në përqindje, është shumë e rëndësishme në vlera absolute dhe tregon një qëndrueshmëri të prirjes rritëse të turizmit në vend.
Këto zhvillime e pozicionojnë Shqipërinë si një nga destinacionet më dinamike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke konkurruar gjithnjë e më fort me vende tradicionale turistike si Mali i Zi, Kroacia apo Greqia. Diferenca kryesore që ofron Shqipëria mbetet kombinimi i bukurive natyrore, çmimeve të përballueshme, mikpritjes tradicionale dhe një autenticiteti që ende nuk është konsumuar masivisht nga turizmi i tejngopur.
Struktura gjeografike e vizitorëve të huaj mbetet e dominuar dukshëm nga Europa, e cila përbën rreth 95% të hyrjeve të të huajve vetëm gjatë muajit tetor. Brenda kontinentit europian, Europa Jugore mban peshën më të madhe me 73%, gjë që shpjegohet lehtësisht me afërsinë gjeografike, lidhjet historike dhe mundësitë e transportit tokësor dhe ajror. Pas saj renditet Europa Perëndimore me 12% dhe Europa Qendrore/Lindore me 6%. Ky profil i shpërndarjes gjeografike tregon se Shqipëria ka ndërtuar një bazë të fortë tregjesh në Europë, por gjithashtu ka ende potencial të madh për zgjerim në tregje të tjera më të largëta.
Situata në sezonin veror ka qenë edhe më intensive. Vetëm gjatë kësaj periudhe janë regjistruar rreth 7.8 milionë hyrje në Shqipëri, duke e kthyer verën në periudhën kryesore ekonomike për sektorin e turizmit. Kulmi i fluksit është regjistruar në muajin gusht, i cili konsiderohet si muaji më i ngarkuar i vitit, ku bashkohen pushuesit vendas, emigrantët që kthehen për pushime dhe turistët e huaj. Kjo periudhë karakterizohet nga kapacitet i plotë i strukturave akomoduese në zonat bregdetare dhe nga një rritje e ndjeshme e konsumit në restorante, bare, shërbime transporti dhe aktivitete rekreative.
Një rol kyç në këtë fluks e kanë luajtur edhe vendet e rajonit. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, gjatë muajve të verës 2025 janë regjistruar rreth 2.95 milionë hyrje nga vendet fqinje. Krahasuar me verën e vitit 2024, kur ky numër ishte 2.8 milionë, kemi një rritje prej 5.34%, çka tregon se Shqipëria vazhdon të mbetet destinacion i preferuar për pushime nga popullsitë e rajonit.
Kosova vijon të mbajë vendin e parë për nga numri i shtetasve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë verës, me rreth 2.2 milionë hyrje. Lidhjet familjare, gjuha e përbashkët, afërsia dhe oferta e gjerë e bregdetit shqiptar janë disa nga faktorët kryesorë që e shpjegojnë këtë dominim. Pas Kosovës renditen Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa Bosnje& Hercegovina rezulton me numrin më të ulët të hyrjeve për këtë periudhë.
Muaji gusht ka qenë kulmi i fluksit për pothuajse të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Malit të Zi, i cili ka regjistruar fluksin më të lartë në korrik. Kjo lidhet edhe me organizimin e pushimeve vjetore, periudhën e lejeve kolektive dhe preferencën për të udhëtuar në pjesën e dytë të verës.
Sa i përket situatës së daljeve, dinamika ka qenë po aq e lartë. Vetëm në muajin tetor, 659 mijë shtetas shqiptarë kanë dalë nga vendi, një rritje prej 5.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, daljet e shtetasve të huaj kanë arritur në 886 mijë, duke shënuar një rritje edhe më të fortë prej 24.4%. Në total, gjatë 10 muajve të vitit 2025 janë regjistruar rreth 18.2 milionë dalje nga territori shqiptar, me një rritje vjetore prej 8.7%. Nga këto, 7.1 milionë i përkasin shtetasve shqiptarë dhe rreth 11 milionë turistëve të huaj.
Të dhënat e origjinës edhe për daljet e turistëve tregojnë se Europa Jugore mbetet territori dominues, por ajo që bie në sy është rritja e fortë e tregjeve jo-tradicionale. Gjatë muajve janar–shkurt 2025, numri i turistëve nga Afrika është rritur me 119%, ndërsa nga Azia Jugore me 194% dhe nga Azia Lindore me 42.6%. Këto shifra tregojnë hapje të reja të tregut dhe një interes në rritje për Shqipërinë si destinacion ekzotik dhe alternativ.
Në 10 muajt e parë të vitit, vendet që kanë sjellë më shumë vizitorë në Shqipëri janë Kosova dhe Italia, të ndjekura nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Polonia, edhe pse ka shënuar rënie në totalin e hyrjeve krahasuar me 2024, vazhdon të mbetet një treg shumë i rëndësishëm për sa i përket netëqëndrimeve. Kjo tregon se turistët polakë që vijnë në Shqipëri kanë prirjen të qëndrojnë më gjatë dhe të shpenzojnë më shumë, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë vendase.
Sipas të dhënave të akomodimeve, në prill 2025, turistët polakë renditen në “Top 5” të vendeve të origjinës me 7% të totalit të netëqëndrimeve, ndërsa në muajt e verës kjo shifër shkon në 11% në korrik, 12% në gusht dhe 11% në shtator. Ky fakt tregon rëndësinë strategjike të tregut polak për turizmin shqiptar, edhe në një periudhë kur hyrjet nga ky vend kanë shfaqur luhatje.
Një tjetër tendencë interesante është rritja e vizitorëve nga vende më pak tradicionale për turizmin shqiptar, si Izraeli, i cili ka shënuar një rritje prej 598.1%, duke kaluar nga 9,741 vizitorë në 68,002. Po ashtu, Egjipti, India dhe Danimarka kanë shënuar rritje të ndjeshme. Krahas tyre, vende si Gjermania, Estonia, Franca dhe Holanda kanë rritur ndjeshëm praninë e shtetasve të tyre në Shqipëri.
Nga ana tjetër, disa vende kanë shënuar rënie të numrit të vizitorëve, si Bjellorusia, Spanja, Letonia, Polonia dhe Malajzia, çka tregon një ndryshim në preferencat turistike, por edhe një ndikim të mundshëm të faktorëve politikë, ekonomikë apo socialë në vendet e origjinës.
Sa i përket netëqëndrimeve, gjatë 10 muajve të parë të vitit janë regjistruar rreth 7.39 milionë netëqëndrime, si nga shtetas shqiptarë ashtu edhe nga të huaj. Tendenca e netëqëndrimeve ka qenë në rritje të vazhdueshme nga muaji në muaj, me kulmin në gusht, i cili ka rezultuar muaji me fluksin më të madh të qëndrimeve në struktura akomoduese.
Gjatë treumojrit të dytë në vend janë regjistruar rreth 2.3 milionë netëqëndrime, me një rritje prej 32.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga kjo shifër, rreth 1.7 milionë netëqëndrime janë realizuar nga turistët e huaj dhe 569 mijë nga turistët vendas. Shqipëria rezulton të jetë shteti me rritjen më të madhe në Europë dhe rajon për këtë tremujor, në krahasim me vitin e kaluar.
Në rajon, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë regjistruar rritje prej përkatësisht 7.2% dhe 20%, ndërsa Mali i Zi dhe Serbia kanë shënuar ulje prej 0.4% dhe 6.1%.
Sa i përket akomodimeve të preferuara në tremujorin e dytë, hotelet mbeten zgjedhja kryesore e turistëve. Megjithatë, rritje të ndjeshme kanë shënuar edhe akomodimet për qëndrime afatshkurtra (+43.3%), si dhe kampingjet (+47.6%). Përveç Shqipërisë, rritje kanë shënuar edhe shtete si Malta, Polonia dhe Sllovakia.
Në dekadën e fundit, Shqipëria është transformuar ndjeshëm në perceptionin ndërkombëtar. Nga një destinacion i panjohur, ajo është shndërruar në një prej vendeve më interesante për t’u zbuluar. Ky transformim nuk ka ardhur vetëm nga resurset natyrore apo zhvillimi i infrastrukturës, por edhe nga ndikimi i madh i rrjeteve sociale.
Instagram, Facebook, TikTok dhe YouTube janë kthyer në mjete të fuqishme promovimi, ku pamje nga bregdeti i jugut, Alpet Shqiptare, qytetet muze, kalatë, kuzhina tradicionale dhe jeta e natës janë bërë virale. Udhëtarët, influencuesit dhe krijuesit e përmbajtjes kanë ndihmuar në ndërtimin e një imazhi modern dhe tërheqës të vendit, duke e kthyer Shqipërinë në një “destinacion trend”.
Sipas të dhënave të hashtag-eve në rrjetet sociale, Shqipëria numëron rreth 10.5 milionë postime në Instagram, ndërsa në Facebook hashtag-u #AlbaniaTourism ka afro 189 mijë postime. Ndërkohë, #AlbaniaTrip dhe #AlbaniaTravel kanë respektivisht 63 mijë dhe 102 mijë postime, duke reflektuar një prani të fortë dhe në rritje në platformat digjitale.
Në thelb, rrjetet sociale e kanë shndërruar Shqipërinë nga një destinacion gjeografik në një histori vizuale që qarkullon në mbarë botën. Ato kanë krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes vendit dhe turistëve potencialë, duke ndikuar në vendimmarrjen e tyre për ta përfshirë Shqipërinë në hartën e udhëtimeve të tyre.
Por jo vetëm rrjetet sociale janë ato të cilat I kanë dhënë zë Shqipërisë për turizmin e saj por edhe në media dhe revisa të ndryshme të cilat I kanë dhënë zë.
Përgjatë vititi 2025 pati gjithashtu shumë shkrime për Shqipërinë por ndër to mund të përmendim shkrimin e:
The Times — “Albania as Europe’s best-value luxury destination”
Sipas këtij artikulli, Shqipëria është vënë në “spotlight”-in ndërkombëtar si destinacion që ofron përvojë luksi me kosto shumë më të përballueshme se vendet e tjera mesdhetare.
Artikulli vë në dukje transformimin nga një vend pushimi të lirë (“low-cost getaway”) në një “hotspot” për turizëm cilësor: me hotele dhe resort-e me standarde të larta, mikpritje të përmirësuar, dhe një kombinim unik të natyrës, historisë dhe ofertës turistike
Përfshihen destinacione si bregdeti Jon, qytete historike si Gjirokastër dhe zona si plazhi e Ksamilit që së fundmi ka tërhequr vëmendje si “bujë” turistike.
New York Times – Shqipëria si destinacion “të mahnitshëm” për 2025
Në një artikull që u ripublikuar në media shqiptare në fillim të 2025-ës, New York Times i rekomandon lexuesve Shqipërinë si një prej destinacioneve “të mahnitshme” europiane për t’u vizituar gjatë 2025, së bashku me disa vende të tjera që, sipas ekspertëve të udhëtimeve, ofrojnë eksperienca të ndryshne për turistët.
Artikulli përshkruan Shqipërinë si një vend me bukuri natyrore plazhe me ujë kristal, male, natyrë të paprekur dhe me një miks historik dhe kulturor, që për shumë turistë është i pazbuluar ende.
Pikat e veçanta që përmenden janë rrënojat antike në zonën e Butrint qytet arkeologjik pranë jugut ndërthurja e natyrës e pastër, historisë dhe çmimeve të përballueshme që tërheqin turistë që kërkojnë eksperiencë autentike por ekonomike.
Duke qenë se artikujt ndërkombëtarë e shohin Shqipërinë si destinacion në rritje për vitin 2025 e më tej, kjo nxit investime, zhvillim të turizmit të qëndrueshëm dhe një panoramë më serioze për zhvillim turistike jo vetëm si sezon veror, por edhe gjatë gjithë vitit.
Fluturimet komerciale si një pikë e mirë zhvllimi për turizmin shqiptar
Fluturimet komerciale përbëjnë një tregues të rëndësishëm për ecurinë e turizmit dhe lëvizjen e popullsisë, si vendase ashtu edhe të huaj. Shqipëria ka shënuar një rritje të konsiderueshme të tyre, veçanërisht vitet e fundit, kur vendi është bërë gjithnjë e më i popullarizuar nga vizitorët e huaj.
Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Statistikave, në tetor të vitit 2025 Shqipëria ka regjistruar një rritje prej 173% të fluturimeve komerciale krahasuar me tetorin e periudhës para pandemisë, duke u renditur kështu me rritjen më të lartë në rajon dhe në gjithë Evropën.
Nëse i referohemi periudhës 10-mujore, Shqipëria vijon të kryesojë për rritjen e numrit të fluturimeve komerciale krahasuar me periudhën para pandemisë. Për çdo muaj të vitit 2025 është regjistruar një rritje e vazhdueshme, madje edhe krahasuar me një vit më parë. Mesatarisht, gjatë dhjetë muajve të parë të vitit, numri i fluturimeve komerciale është rritur me 155.7%, duke arritur kulmin në muajin tetor.
Në shkallë europiane, pas Shqipërisë renditet Islanda, ndërsa Bosnje-Hercegovina zë vendin e tretë. Rritje të numrit të fluturimeve janë regjistruar gjithashtu në Slloveni dhe Poloni. Megjithatë, jo të gjitha vendet kanë shënuar rritje në disa shtete, përqindjet janë negative. Suedia dhe Letonia kanë pësuar rënien më të madhe, me -27%, ndërsa Finlanda ka shënuar një ulje prej -22.5%. Situata mbetet jo pozitive edhe për Norvegjinë dhe Gjermaninë, ku fluturimet komerciale kanë shënuar rënie krahasuar me periudhat e mëparshme.
Viti 2025 dyfishoi turizmin në kampingje
Vera mbetet sezoni më turistik në vend dhe periudha më e favorshme për zhvillimin e turizmit të kampingjeve, çadrave apo rulotave të argëtimit. Veçanërisht në disa zona të caktuara të Shqipërisë, ky lloj turizmi është shumë i përshtatshëm, pasi mungojnë hotelet dhe njëkohësisht ruhet më mirë mjedisi natyror.
Nëse i referohemi të dhënave të INSTAT-it në lidhje me numrin e netëve të qendrimint nga shtetasit e huaj në këtë formë turizmi, shihet se numri është rritur me rreth 41.8% krahasuar me verën e kaluar, duke regjistruar afro 10 mijë netëqendrime më shumë se gjatë verës së vitit 2024. Për të dyja vitet, muaji gusht ka qenë ai që ka shënuar numrin më të lartë të qëndrimeve.
Ndërkohë, sipas statistikave për netëqendrimet e vizitorëve rezidentë, vërehet një ulje prej rreth 3,200 netëqendrimesh më pak. Mesa duket, turistët shqiptarë këtë vit kanë preferuar struktura të tjera akomodimi, ndryshe nga vera e kaluar.
Një nga arsyet pse të huajt po zgjedhin gjithnjë e më shumë këtë formë turizmi lidhet me dëshirën për aventurë dhe përvoja më autentike, por edhe me kostot e ulëta që ofron Shqipëria. Sipas të dhënave të publikuara nga revista ndërkombëtare Camping.Info, vendi renditet si destinacioni me çmimin më të përballueshëm për kamping në rajon. Mesatarisht, një natë qëndrimi në një kamping shqiptar kushton rreth 14.18 euro, shumë më pak se në vendet fqinje. Për shembull, në Serbi çmimi arrin në 20.69 euro për natë, ndërsa në Bosnje Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut varion përkatësisht në 18.60 dhe 17.90 euro.
Këto shifra tregojnë qartë se Shqipëria ofron jo vetëm një përvojë të këndshme natyrore dhe mikpritëse, por edhe një alternativë ekonomike për udhëtarët që kërkojnë pushime në natyrë me buxhet të arsyeshëm.
Mirëpo sa kanë kushtuar turet dhe sa është kostoja reale e udhëtimeve sipas Tirp Avdisor
Edhe faqja e njohur ka sjellë disa nga turet që zgjedhin turistët në të gjithë vendin per te provuar eksperienca te reja dhe mos të kufizohen vetëm në një lloj turizmi. Gjithashtu, TripAdvisor ka një ofertë për të gjithë turistët që dëshirojnë të qëndrojnë gjatë në vendin tonë, duke ofruar një tur të veçantë për të gjitha atraksionet më të spikatura të Shqipërisë, që zgjat plot 10 ditë dhe kushton 2,222 dollarë. Kështu, një turist që dëshiron të eksplorojë të gjithë vendin me detaje, mund të zgjedhë cilëndo prej këtyre ofertave.
Sipas TripAdvisor, një tur në qytetin e Beratit kushton nga 30 deri në 90 dollarë, ndërsa në Gjirokastër çmimi mesatar është rreth 69 dollarë. Korça ofron guida që fillojnë nga 35 euro, ndërsa në jug, Saranda dhe Ksamil ofrojnë paketa që shkojnë deri në 191 dollarë, në varësi të luksit dhe aktiviteteve të përfshira.
Në Vlorë, një udhëtim drejt Shpellës së Haxhi Alisë kushton rreth 27 dollarë, ndërsa për të shkuar në ishullin e Sazanit nevojiten deri në 42 dollarë. Tirana ofron guida urbane me autobus për 18 dollarë, ndërsa për ata që kërkojnë qetësi, një tur në Liqenin e Bovillës kushton mesatarisht 24 dollarë. Kruja, shumë pranë kryeqytetit, ofron eksperienca historike për rreth 32 dollarë.
Në veri, Thethi dhe Alpet janë destinacione të kërkuara për turistët aventurierë, me çmime që variojnë nga 51 në 145 dollarë. Lumi i Shalës dhe Liqeni i Komanit ofrojnë udhëtime dyditore për rreth 65 dollarë.
Për aktivitetet në natyrë, rafting në lumin Vjosë kushton 59 dollarë, ndërsa hiking në malin e Dajtit rreth 70 dollarë.
Me një ofertë kaq të larmishme dhe çmime konkurruese, Shqipëria mbetet një destinacion i arritshëm dhe i pasur për çdo turist. Shqipëria nuk është vetëm një vend për të vizituar, por një përvojë për t’u jetuar nga jugu në veri, për çdo shije dhe buxhet. Me çmime të arsyeshme dhe një gamë të gjerë aktivitetesh, vendi ynë po konfirmohet si një perlë turistike e Ballkanit dhe më gjerë.
Sipas të dhënave më të fundit të statistikat e hyrjeve turistike për këtë vit, transporti tokësor është forma kryesore që ka sjellë numrin më të madh të vizitorëve në vend, duke lënë pas transportin ajror dhe atë detar. Nga analizat e detajuara rezulton se rreth 9 milionë persona kanë hyrë në Shqipëri përmes rrugëve tokësore, duke e bërë këtë mënyrë transporti më të përdorurën nga turistët.
Në vijim, transporti ajror renditet si forma e dytë më e popullarizuar, me 7.6 milionë hyrje pasagjerësh, ku shumica dërrmuese janë turistë të huaj. Ky tregues tregon se aeroporti Rinasit, vijon të jetë pika kyçe për flukset turistike ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, transporti detar ka numrin më të ulët të hyrjeve, me rreth 1.4 milionë pasagjerë gjatë 9 muajve të parë të vitit. Porti i Sarandës ka regjistruar fluksin më të madh të pasagjerëve detarë, duke e bërë atë një nga portet më të rëndësishme për turistët që zgjedhin të hyjnë në vend përmes detit.
Kur krahasohen të gjitha format e transportit, del se për çdo 10 persona që hyjnë në territorin shqiptar, 5 prej tyre vijnë nga transporti tokësor, 4 nga ai ajror dhe 1 nga transporti detar. Ky raport tregon qartë se rrugët tokësore mbeten arteria kryesore për turistët që vizitojnë Shqipërinë, ndërsa transporti ajror dhe detar plotësojnë nevojat e vizitorëve që vijnë nga distanca më të largëta ose që preferojnë rrugët alternative për të hyrë në vend.
Kjo statistikë gjithashtu ofron një pasqyrë të rëndësishme për sektorin e turizmit dhe autoritetet e transportit, duke theksuar nevojën për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore, portuale dhe aeroportuale për të përballuar fluksin e madh të turistëve në të ardhmen.
Shpenzimet e të huajve në Shqipëri gjatë periudhës Janar-Shtator 2025 kanë arritur në rreth 4.42 miliardë euro, duke shënuar nivelin më të lartë historik të regjistruar deri më sot. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur shpenzimet ishin rreth 3.86 miliardë euro, rritja është e forte, mbi 560 milionë euro më shumë në vetëm nëntë muaj.
Ky zgjerim i shpejtë i të ardhurave nga turistët e huaj konfirmon vijimin e bumit turistik që ka karakterizuar vendin në dy vitet e fundit.
Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, gjatë periudhës Janar-Shtator në vend kanë hyrë 10.2 milionë shtetas të huaj. Nga të dhënat e kombinuara rezulton se shpenzimi mesatar për turist është rritur në 431 euro për 9-mujorin, nga 398 euro që ishte në Janar-Shtator 2024.
Edhe shpenzimet e shqiptarëve që udhëtojnë jashtë vendit kanë shënuar rritje gjatë 2025-s, duke arritur në rreth 2.30 miliardë euro, nga 2.09 miliardë euro një vit më parë. Rritja është e dukshme me rreth 19.6%
Për vitin 2025, bilanci neto midis shpenzimeve të të huajve në vend dhe shpenzimeve të shqiptarëve jashtë ka arritur në 2.11 miliardë euro, një tjetër rekord historik.
Krahasuar me vitin 2024, kur bilanci ishte 1.77 miliardë euro, përmirësimi është i ndjeshëm. Kjo e çon Shqipërinë në nivelin më të lartë të përfitimeve neto nga turizmi në të gjithë serinë e viteve të raportuara.
Nëse i shohim të dhënat që nga viti 2008, përfitimet nga turizmi janë rritur më shumë se 6-fish. Nga vetëm 0.86 miliardë euro shpenzime nga turistët e huaj në 2008, Shqipëria ka arritur në mbi 4.4 miliardë euro në 2025.
Çfarë pritet nga turizmi për vitin 2026?
Në buxhetin e ri për vitin 2026, janë rritur fondet për zhvillimin e turizmit, kulturës dhe trashëgimisë, si pjesë e strategjisë për ta bërë Shqipërinë një vend më tërheqës, më konkurrues dhe më të qëndrueshëm ekonomikisht. Në këto sektorë, buxheti I 2026-ës është rritur me 5.9% nga viti I shkuar duke arritur në 7.39 miliardë lekë nga 6.97 miliardë lekë që ishte vjet.
Në fushën e turizmit, objektivi është që Shqipëria të kthehet në një destinacion turistik gjithëvjetor dhe cilësor. Për këtë arsye, në projektbuxhet është parashikuar forcimi i rregullave për shërbimet e pastrimit gjatë gjithë sezonit turistik, në mënyrë që zonat bregdetare të ruajnë pastërtinë dhe standardet e kërkuara për një turizëm modern. Gjithashtu, një tjetër drejtim është promovimi i produkteve vendase, për të forcuar identitetin e turizmit shqiptar dhe për të nxitur ekonominë lokale. Paralelisht me këtë, pritet të rritet numri i të punësuarve në këtë sektor, si edhe ai i bizneseve që operojnë në fushën e agroturizmit.
Rama uron shqiptarët në prag të Vitit të Ri: Kemi bërë realitet një Shqipëri tjetër
Në vigjilje të ndërrimit të viteve, Kryeministri Edi Rama iu drejtua qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, me një mesazh reflektues dhe urimi, ku......
ARRSH, plan masash për festat e fundvitit/ Drejtori Ami Kozeli: Mjetet dhe punonjësit, në gatishmëri në akset me ngrica
Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, ka publikuar masat e marra nga ky institucion për festat e fundvitit. Sipas tij, do të garantohet një......
Si është mbyllur ky vit për valutat kryesore?
Dollari amerikan pas rënie të vazhdueshme që pësoi përgjatë kësaj jave e ka mbyllur këtë vit pozitivisht duke shënuar rritje teksa është blerë sot me 81.3......
Sa do të ulen komisionet e terminaleve POS në 2026? - Brumbulli: Do të ndjekim modelin e vendeve të BE. 0.2% për kartat e debitit, 0.3% kreditit
Gjatë 2026 pritet të ulen ndjeshëm komisionet që bankat u mbajnë bizneseve kur këto të fundit pranojnë pagesa me kartë në terminalet POS nga qytetarët. Në......
Pronarët marrin kompensimin financiar - Ministri i Drejtësisë: Për mbi 13 mijë familje paratë kalojnë në llogari bankare
Mbi 13 mijë familje do të marrin kompensimin financiar për pronat e tyre nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Në një videomesazh ministri i Drejtësisë,......
Meksika do të rrisë tarifat ndaj Kinës - Presidentja Sheinbaum: Synojmë të rrisim prodhimin vendas
Tarifat e reja gjithëpërfshirëse të Meksikës për importet nga vendet kryesisht aziatike do të hyjnë në fuqi të enjten, në një veprim që do ta afrojë Meksikën......
FED do të ulë normat e interesit në 2026-ën - Pritet të shihet ecuria e ekonomisë amerikane
Rezerva Federale në SHBA po sinjalizon se do të ketë ulje të mëtejshme të normave të interesit, por së pari do të pezullojë uljet e njëpasnjëshme për t'u......
Trump pritet të zgjedhë shefin e ri të FED - Kërcënon sërish Powell, pritet ta shkarkojë në janar
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi do të emërojë një kryetar të ri të Rezervës Federale gjatë janarit, ndërsa shtoi se po shqyrton ngritjen e një......



