Europa Postuar më 1 Maj 2025, 09:42

Britania ndjek shembullin e SHBA-së Përcakton rregullore të re që u hap rrugën kriptovalutave

Nga Kristi Ceta

Britania ndjek shembullin e SHBA-së  Përcakton rregullore të re

Britania e Madhe do të krijojë rregullore të detyrueshme për kriptovalutat, njoftoi ministrja e financave Rachel Reeves. Qeveria sinjalizoi se do të bashkëpunonte ngushtë me Shtetet e Bashkuara për qasjen më të mirë ndaj aseteve digjitale.

Projektligjet e reja do të zgjerojnë rregullimin financiar ekzistues për kompanitë e përfshira në kriptovaluta, duke e përafruar Britaninë me SHBA-në dhe larg Bashkimit Evropian, që ka ndërtuar rregulla specifike për industrinë, thanë ekspertët.

Seti i parë i rregullave të projektligjit të Britanisë vjen ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka hapur rrugën kriptovalutave dhe është zotuar të heqë kufizimet rregullatore në industri, duke shqetësuar kritikët. Ministrat evropianë të financave janë shprehur të shqetësuar se masat e SHBA-së mund të ndikojnë në sovranitetin monetar dhe stabilitetin financiar të eurozonës.

Reeves tha se kishte diskutuar rregulloret e kriptovalutave me Sekretarin e Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, gjatë një vizite në Uashington javën e kaluar dhe se të dyja vendet planifikuan ta diskutonin këtë më tej në qershor. "Sipas rregullave të reja, bursat, tregtarët dhe agjentët e kriptovalutave do të futen në perimetrin rregullator", tha ministria e financave në një deklaratë pas njoftimit të Reeves.

"Firmat e kriptovalutave me klientë në Mbretërinë e Bashkuar do të duhet gjithashtu të përmbushin standarde të qarta mbi transparencën, mbrojtjen e konsumatorit dhe qëndrueshmërinë operacionale", shtoi njoftimi.

Rreth 12% e të rriturve britanikë zotërojnë ose kanë zotëruar kriptovaluta të tilla si bitcoin ose ethereum, nga 4% në vitin 2021, tha qeveria.

Banka e Anglisë ka paralajmëruar prej kohësh për rreziqet që paraqet bitcoin për investitorët. Megjithatë, institucioni e sheh të arsyeshëm krijimin e rregullave për stablecoins apo monedhat e qëndrueshme, që kërkojnë të mbajnë një vlerë fikse në lidhje me dollarët amerikanë ose asete të tjera.

Ministria e financave tha se synonte të finalizonte legjislacionin e ri deri në fund të vitit. Rregullat bazohen në propozimet fillestare të bëra në vitin 2023.

Live TV

Të fundit
30 Nëntor

...

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

30 Nëntor

...