Bota Postuar më 30 Tetor 2025, 09:56

Trump shpall marrëveshje me Kinën - Tarifat mbi importet kineze do të ulën në 47%

Nga Kristi Ceta

Trump shpall marrëveshje me Kinën - Tarifat mbi importet kineze do

Presidenti amerikan Donald Trump u kthye në Uashington pas një takimi ballë për ballë me udhëheqësin kinez Xi Jinping në ditën e fundit të turit të tij në Azi. Kjo vizitë u dha mundësinë dy ekonomive më të mëdha në botë të stabilizonin marrëdhëniet e tensionuara pas muajsh përplasjesh mbi çështjet tregtare.

Pas takimit që zgjati pak më shumë se 100 minuta, Trump deklaroi se Uashingtoni dhe Pekini kanë arritur “marrëveshje për shumë çështje”. Lideri amerikan njoftoi se tarifat mbi importet e mallrave kineze do të ulen në 47% dhe se Kina do të fillojë të blejë sasi të mëdha soje. “Gjë që e vlerësoj shumë”, shtoi ai.

Pekini ishte përballur këtë vit me tarifa të reja që arrinin gjithsej në 30%, prej të cilave 20% ishin të lidhura me atë që Uashingtoni pretendon të jetë roli i Kinës në prodhimin e fentanilit. Megjithatë, nivelet e tarifave kanë qenë të paqëndrueshme. Në prill, Trump kishte njoftuar planet për t’i rritur ato në 145%, por më pas e braktisi këtë ide pasi tregjet reaguan negativisht.

“E gjithë çështja e metaleve të rralla është zgjidhur. Dhe kjo ka të bëjë me të gjithë botën, jo vetëm me SHBA-në. Tani nuk ka më pengesa nga Kina,” tha Trump për gazetarët.

Përdorimi agresiv i tarifave nga Trump që prej rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë, i kombinuar me kufizimet hakmarrëse të Kinës për eksportet e elementëve të rrallë, i dha takimit një ndjesi urgjence. Të dyja palët pranuan se asnjëra nuk dëshiron të rrezikojë ekonominë botërore në mënyra që mund të dëmtojnë mirëqenien e vetë vendeve të tyre.

Në fillim të takimit, udhëheqësi kinez foli më gjatë se Trump në deklaratat hyrëse, duke thënë: “Është shumë këndshëm të të shoh përsëri, sepse kanë kaluar shumë vite. Ne nuk biem gjithmonë dakord për gjithçka,” shtoi Xi, duke theksuar se “është normale që dy ekonomitë kryesore të botës të kenë përplasje herë pas here.”

Megjithatë, ai theksoi se Kina dhe SHBA “janë plotësisht të afta të ndihmojnë njëra-tjetrën të kenë sukses dhe të përparojnë së bashku.” Nga ana e tij, Trump vlerësoi udhëheqësin kinez dhe njoftoi se do të udhëtojë në Kinë në muajin prill.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat