Shqipëria Postuar më 29 Tetor 2025, 17:38

Qeveria miraton projektligjin, ja ku mund të aplikohet partneriteti publik privat

Nga SCAN TV

Qeveria miraton projektligjin, ja ku mund të aplikohet partneriteti publik

Transporti, energjia, uji, menaxhimi i mbetjeve, telekomunikacioni, arsimi, kultura, shëndetësia janë sektorët ku mund të aplikohet partneriteti publik privat. Përcaktimi bëhet në ligjin e sapo miratuar nga qeveria për PPP.

Projektligji “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” përcakton kuadrin ligjor për mënyrën se si shteti dhe sektori privat bashkëpunojnë për të realizuar projekte me interes publik, nëpërmjet koncesioneve ose partneriteteve publike-private (PPP).

 

Objekti:

•             Kompetencat e autoriteteve publike për të lidhur kontrata PPP;

•             Procedurat e dhënies, nënshkrimit, ndryshimit ose ndërprerjes së kontratave;

•             Ndarjen e risqeve financiare dhe fiskale ndërmjet palëve;

•             Mënyrën e mbështetjes financiare dhe rregullimet që lidhen me politikat e koncesioneve.

Ligji përcakton termat:

•             Koncesion - Marrëveshje për ndërtim ose ofrim shërbimesh publike, ku partneri privat shpërblehet me të drejtën e shfrytëzimit të veprës ose me pagesë.

•             Partneritet publik privat (PPP): Bashkëpunim i qëndrueshëm ndërmjet shtetit dhe operatorit privat për ofrimin e shërbimeve ose infrastrukturës publike.

•             Risk operacional: Rreziku që i transferohet koncesionarit lidhur me kërkesën, ofertën apo disponueshmërinë e objektit.

•             SPV (Subjekti për Qëllime të Veçanta): Shoqëri private e krijuar posaçërisht për zbatimin e kontratës së koncesionit/PPP.

Fusha e zbatimit

PPP-të mund të aplikohen në sektorë si transporti, energjia, uji, menaxhimi i mbetjeve, telekomunikacioni, arsimi, kultura, shëndetësia.

Ky nen përcakton bazat mbi të cilat zhvillohet çdo procedurë për dhënien e koncesioneve dhe partneriteteve publike-private (PPP).

1.           Parimet e përgjithshme – Procedurat zbatohen duke respektuar transparencën, trajtimin e barabartë, mosdiskriminimin, proporcionalitetin, efikasitetin, reciprocitetin dhe sigurinë ligjore.

2.           Paanshmëria e procedurës – Përgatitja e procedurës konkurruese, përfshirë përllogaritjen e vlerës, nuk duhet të ketë qëllim favorizimi apo përjashtimi të padrejtë të operatorëve ekonomikë apo të shërbimeve të caktuara.

3.           Autonomia e autoriteteve publike – Autoritetet qendrore dhe vendore kanë të drejtë të vendosin mënyrën më të përshtatshme për të menaxhuar punimet dhe shërbimet publike, duke garantuar cilësi, siguri, përballueshmëri, trajtim të barabartë dhe akses universal. Ato mund të kryejnë detyrat me burimet e veta, në bashkëpunim me të tjera autoritete, ose t’i delegojnë ato operatorëve ekonomikë.

4.           Ruajtja e sistemit të pronësisë publike – Ligji nuk kërkon privatizimin e ndërmarrjeve publike dhe nuk ndikon në sistemin e pronësisë në Republikën e Shqipërisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat