Bota Postuar më 2 Mars 2026, 12:35

Analiza/ Dallimet ekonomike, ku ndryshon 1979 me luftën e sotme? Pse pesha e naftës iraniane është më e vogël sot, por pasiguria më e madhe

Nga Scan TV

Analiza/ Dallimet ekonomike, ku ndryshon 1979 me luftën e sotme? Pse pesha

Në vitin 1979, një revolucion politik në Iran u kthye në një tronditje ekonomike globale. Pas muajsh protestash masive, Shah-u Mohammad Reza Pahlavi u rrëzua dhe në pushtet erdhi Ajatollah Ruhollah Khomeini, duke shpallur Republikën Islamike. Ndryshimi i regjimit solli greva në industrinë e naftës dhe një rënie të menjëhershme të prodhimit. Në atë kohë, Irani ishte një nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës në botë dhe përfaqësonte rreth 7–8% të furnizimit global. Brenda pak muajsh, miliona fuçi në ditë u zhdukën nga tregu ndërkombëtar.

Pasojat ishin të menjëhershme. Çmimi i naftës u dyfishua dhe karburanti u shtrenjtua në SHBA dhe Europë duke prodhuar skena që nuk ishin parë asnjëherë në pikat e furnizimit.  Inflacioni u përshpejtua ndjeshëm dhe ekonomitë e zhvilluara hynë në një periudhë të vështirë të quajtur “stagflacion” një kombinim i rrallë i rritjes së dobët ekonomike me çmime në rritje. Në Shtetet e Bashkuara, inflacioni arriti mbi 13% në vitin 1980. Banka qendrore amerikane, nën drejtimin e Paul Volcker, rriti normat e interesit në nivele rekord për të frenuar inflacionin, duke shkaktuar një recesion të thellë. Kriza e 1979-ës tregoi sa e varur ishte ekonomia globale nga energjia e Lindjes së Mesme dhe sa shpejt mund të përhapej një tronditje politike në tregjet financiare.

Sot, situata është e ndryshme në disa drejtime thelbësore, por ka edhe ngjashmëri të qarta. Ndryshe nga 1979, Irani nuk ka më të njëjtën peshë në prodhimin global të naftës. Sot ai përfaqëson rreth 3% të furnizimit botëror, ndërsa SHBA është bërë një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë falë teknologjisë së nxjerrjes së naftës. Ekonomitë e zhvilluara janë gjithashtu më eficente energjetikisht pasi prodhojnë më shumë,  me më pak energji sesa në vitet ’70. Kjo do të thotë se një rënie e drejtpërdrejtë e prodhimit iranian sot nuk do të kishte automatikisht të njëjtin efekt dramatik si në 1979.

Megjithatë, rreziku aktual nuk lidhet vetëm me sasinë e naftës që prodhon Irani, por me vendndodhjen e tij strategjike. Një pjesë e madhe e naftës dhe gazit të botës kalon përmes Gjirit Persik dhe Ngushticës së Hormuzit, një korridor detar i ngushtë pranë brigjeve iraniane. Përhapja e luftës në këtë zonë dhe prekja e vendeve të tjera prodhuese si Arabia Saudite apo Emiratet e Bashkuara Arabe, mund të bëjnë që tregu global të përballet me një rrezik shumë më të gjerë sesa thjesht humbja e eksporteve iraniane.

Këtu qëndron ndryshimi kryesor mes 1979-ës dhe situatës së sotme. Atëherë kriza erdhi nga mungesa fizike e prodhimit iranian. Sot kriza potenciale vjen nga rreziku që të destabilizohet e gjithë infrastruktura energjetike e rajonit. Tregjet moderne reagojnë jo vetëm ndaj asaj që mungon, por edhe ndaj asaj që mund të mungojë. Vetë pasiguria rrit çmimet e naftës, kostot e sigurimeve dhe tarifat e transportit.

Nëse konflikti mbetet i kufizuar dhe nuk prek rrjedhat kryesore të energjisë, ndikimi ekonomik mund të jetë i përkohshëm: luhatje në çmime, tension në tregje financiare dhe presion i moderuar inflacionist. Por nëse përshkallëzimi shtrihet në të gjithë Gjirin Persik, atëherë efektet mund të përfshijnë rritje të fortë të çmimeve të energjisë, rritje të inflacionit global dhe ngadalësim të rritjes ekonomike, veçanërisht në Europë dhe Azi që varen nga importet e energjisë.

Pra, ndërsa kriza e 1979-ës ishte një tronditje klasike e ofertës nga një prodhues i madh, situata e sotme është një provë e qëndrueshmërisë së një sistemi global shumë më të ndërlidhur.

Në një botë ku energjia, financa dhe transporti janë të lidhura ngushtë, edhe pasiguria mund të ketë pasoja të mëdha.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat