Shqipëria Postuar më 2 Mars 2026, 10:21

Industria ushtarake shqiptare, në kërkim të inxhinierëve/ Ka nisur faza e rekrutimit. Ekspertët teknikë do përzgjidhen nga shkollat profesionale

Nga Ledina Elezi

Industria ushtarake shqiptare, në kërkim të inxhinierëve/ Ka

Nga rivitalizimi i industrisë ushtarake, në Shqipëri pritet të krijohen 326 vende të reja pune këtë vit, në gjysmën prej të cilave kërkohen inxhinierë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ka nisur faza e rekrutimit të 49 inxhinierëve dhe 68 ekspertëve teknikë. Megjithatë, nuk mungojnë as pozicionet mbështetëse, si financierët, ekonomistët dhe juristët.

Ministria e Mbrojtjes po bashkëpunon me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit që këta profesionistë, pra të paktën ekspertët teknikë, të përzgjidhen nga shkollat profesionale më të mira në vend. Ndërkohë, inxhinierët do përzgjidhen në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe fakultete të tjera.

Në total, parashikimi është që rreth 1000 familje të jetojnë përmes kësaj industrie. Punonjësit e rekrutuar në këtë fazë do të jenë në shërbim të prodhimit të municioneve, uniformave dhe dronëve. Pra, afatet e rekrutimeve janë në përputhje me afatet kur do të nisë prodhimi i municioneve, uniformave dhe dronëve në vend.

Sipas deklaratave të mëparshme nga Ministria e Mbrojtjes, 12 inxhinierë dhe personel teknik po rekrutohen për dronët "Quadcopter" që do prodhohen në mes të prillit.

Në maj përfundon ndërtimi i fabrikës së tekstileve në zonën e Babrrusë për prodhimin e uniformave, ndërsa korriku është muaji i nisjes së prodhimit të municioneve të para. Kompania Timak Defence ka nënshkruar gjithashtu një marrëveshje me Man, bijë e kompanisë gjermane Rheinmetall, ndër më të mëdhatë në Evropë për prodhimin e armëve. Në rastin tonë, marrëveshja është për prodhimin e mjeteve të transportit të komandës mbështetëse.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat