Shqipëria Postuar më 11 Shtator 2023, 14:26

Ku “çalon” ligji për tatimin mbi të ardhurat? - Dhoma Amerikane e Tregtisë, sugjerime për të shmangur abuzimet

Nga SCAN TV
Ku “çalon” ligji për tatimin mbi të ardhurat? -

Ekspertët e Dhomës Amerikane të Tregtisë kanë hartuar sugjerime për aktet nënligjore që do të shoqërojnë ligjin për Tatimin mbi të Ardhura, të cilat kanë për qëllim të krijojnë qartësi që nuk krijojnë shteg për keqinterpretime gjatë kontrolleve tatimore, ashtu sikurse synojnë ta bëjnë udhëzimin praktik dhe të kuptueshëm për bizneset.

Komentet e përpunuara nga ekspertët e Dhomës kanë targetuar marrëdhëniet e punës, trajtimin dhe kontabilizimin e shpenzimeve, marrëdhëniet financiare me punonjësit jo rezidentë, përllogaritjen e saktë të fitimit kur në zbatim janë marrëveshjet e dyfishta,  deri tek llogaritjet e amortizimeve dhe humbjeve gjatë procesit të punës.

Kështu, komentet kanë kërkuar qartësi në përcaktimin e entiteteve tatimore të huaja dhe marrëdhënien financiare me ta duke sqaruar përkufizimin mbi entitetet e huaja dhe kontrollin e tyre e cila ka sjellë vazhdimisht paqartësi për subjektet tatimore. Gjithashtu ndërhyrje ka patur dhe për të vendosur mbi baza të qarta  trajtimin e të ardhurave nga punësimi sidomos në rastet kur bëhet fjalë për punonjës që nuk janë rezidentë duke specifikuar qartë në udhëzim mënyrën e trajtimit dhe llogaritjen e tatimit mbi pagën. Komentet mbi aktet udhëzuese janë munduar të hedhin dritën e qartësisë për mënyrën se si do të paguhen tatimi në burim për jo rezidentët por dhe mënyrën se si do të trajtohen personat fizik për taksat që do të paguajnë.

Kontabilizimi i shpenzimeve të zbritshme në sektorin e ndërtimit, ka qenë një tjetër pikë që ka marrë vëmendjen e ekspertëve. Industria e ndërtimit dhe real estate ka pësuar ndryshime të konsiderueshme gjatë viteve të fundit, duke sjellë transaksione të shumëllojshme ndërmjet pronarëve të truallit, ndërtuesve dhe investitorëve. Mungesa e këtyre dispozitave në ligjin tatimor lë vend për interpretim duke qenë se personat juridik, ndryshe nga individët, përgatisin pasqyrat financiare sipas ligjit të kontabilitetit dhe Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit ose Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar. Një pikë e rëndësishme për sektorin e ndërtimit ka qenë dhe saktësimi në udhëzim i nenit për shpenzimet e akomodimit dhe ushqimit të punonjësve të cilët alokohen në projekte të ndryshme larg vendit të tyre të banimit.

Elisabeta Dosku/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat