Kosova Postuar më 26 Gusht 2022, 12:57

Kriza në Kosovë, grevë e sektorit publik - Mësues, shërbimi civil dhe mjekët kërkojnë 100 euro shtesë page

Nga SCAN TV
Kriza në Kosovë, grevë e sektorit publik - Mësues,

Kriza ekonomike që ka prekur Kosovën ka futur në grevë mësuesit, edukatorët në kopshtet publike, punonjësit e administratës publike në institucionet lokale dhe qendrore që prej 25 gushtit. Të ndodhur në gjendje të vështirë përballë çmimeve dhe nivelit të lartë të inflacionit grevistët kërkojnë rritjen me 100 euro të pagave të tyre derisa të hyjë në fuqi projektligji për pagat.

Mësuesit në grevë kanë deklaruar se mësim nuk do ketë derisa të mbyllet greva. Greva sipas tyre do të mbyllet vetëm atëherë kur të realizohen kërkesat e tyre. Paga bazë e një mësuesi në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë është 470 euro.

Ndërkohë, punonjësit e administratës publike kanë vendosur të protestojnë duke u paraqitur në punë, por pa ofruar shërbimin dhe vendosur nëpër dyert e institucioneve kartat me shënimet “Jemi në grevë”.

Kërkesa të tjera të grevistëve përveç pagave është dhe zbatimi i Ligjit për sigurime shëndetësore. Ky ligj është miratuar në vitin 2014, por asnjëherë nuk është zbatuar. Gjithashtu, kërkohet të ndryshohet Ligji për skemat e pensioneve të financuara nga shteti.

Për situatën ka reaguar dhe kryeministri, Albin Kurti, I cili e konsideron të pakuptimtë grevën.

“Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash që Projektligji për pagat është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë, është gabim. Nuk është koha për grevë, është koha për punë, është koha që sindikatat t’i bëjnë komentet e tyre për Projektligjin për pagat”, u shpreh Albin Kurti.

Protestat për pagat kanë filluar muaj më parë në Kosovë, por ndihma e qeverisë ishte vetëm për një muaj në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, kishte vendosur të jepte 100 euro shtesë për prillin. Kjo ndihmë, sipas sindikatave, ka qenë e pamjaftueshme për të zbutur gjendjen e rënduar ekonomike të punonjësve nga rritja e çmimeve të konsumit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova po përballet me një inflacion të lartë, që në muajin korrik arriti në 14.2 për qind. Përfaqësues të shoqërisë civile kërkojnë dialog me qeverinë që të shmanget paralizimi i institucioneve.

SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=FbM6TL5LVK0

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat