Shqipëria Postuar më 8 Shtator 2022, 13:26

Kriza “godet” zhvillimin njerëzor - Indeksi/ Shqipëria renditet e 67-ta nga 191 vende, pabarazia gjinore i shkakton humbje

Nga SCAN TV
Kriza “godet” zhvillimin njerëzor - Indeksi/ Shqipëria

Krizat e njëpasnjëshme, ku përfshihet pandemia COVID19 dhe së fundmi edhe lufta në Ukrainë, kanë bërë që 9 nga 10 vende në botë të shënojnë rënie në nivelin e zhvillimit njerëzor.

Referuar raportit të publikuar së fundmi nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), për herë të parë në 32 vite matje, Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (IZHNJ), i cili vlerëson nivelin e shëndetit, arsimit dhe standardin e jetesës të një kombi, ka pësuar rënie në nivel botëror për dy vite radhazi. Zhvillimi njerëzor ka rënë në nivelet e vitit 2016, duke kthyer mbrapsht një pjesë të progresit të bërë për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Megjithatë vlera e Indeksit të Zhvillimit Njerëzor (IZHNj) për Shqipërinë për vitin 2021 është 0.796, vlerë që e vendos vendin në kategorinë e lartë të zhvillimit njerëzor, por jo shumë të lartë, duke e renditur atë në vendin e 67 nga 191 vende dhe territore.  Përsa i përket Indeksit të Pabarazisë Gjinore që reflekton pabarazinë në tre dimensione, shëndeti riprodhues, fuqizimi dhe tregu i punës, Shqipëria renditet e 39-ta nga 170 vende.

Sipas raportit,  me rritjen e pabarazisë në vend humbja në aspektin e zhvillimit njerëzor shtohet gjithashtu. Kështu, humbja e Shqipërisë për shkak të pabarazisë është 10.8 për qind.  Ajo që vihet re sa i takon pabarazisë gjinorë në vendin tonë është se pjesëmarrja e gjinisë femërore në arsim është me e lartë kundrejt gjinisë mashkullore,  ndërsa pjesëmarrja në tregun e punës është më e ulët, përkatësisht 50.7 për qind për femrat dhe 66.2 për qind për meshkujt.

Për përcaktimin e një kursi të ri dhe rimëkëmbjen, raporti rekomandon zbatimin e politikave që përqendrohen tek investimet, nga energjia e rinovueshme tek përgatitja për pandemitë si dhe sigurimet, përfshirë mbrojtjen sociale me qëllim përgatitjen  e shoqërisë për luhatjet në një botë të pasigurt.

Elisabeta Dosku / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat