Kosova Postuar më 18 Janar 2024, 12:12

Kosova heq nga qarkullimi dinarin serb - BQK: Pagesat do të kryhen vetëm në euro

Nga SCAN TV
Kosova heq nga qarkullimi dinarin serb - BQK: Pagesat do të kryhen

Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, e cila bën të qartë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në të gjithë territorin e vendit është euro. Kjo rregullore do të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë. Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe bonuset për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët përdoren në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

Në rregulloren e BQK-së, thuhet se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare” dhe me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare dhe këto valuta po ashtu mund të përdoren për këmbim.

Por, këmbimi, sipas BQK-së, mund të kryhet vetëm përmes institucioneve të licencuara nga ajo për këtë shërbim. Deri më tani, dinarët në Kosovë qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë” e cila vepron në vendbanimet e banuara me serb në Kosovë.

Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe.

Në rregulloren e BQK-së thuhet se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive e saj.

Më herët, çështjen e transaksioneve me valuta jo euro e ka ngritur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili paralajmëronte se Kosova do t’i ndalojë transaksionet me dinarë.

Dorina Kurtaj / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat