Bota Postuar më 6 Dhjetor 2023, 16:30

Konsumi i ujit, problem për inteligjencën artificiale - Google, Microsoft dhe Meta po punojnë për t’u bërë “pozitivë ndaj ujit”

Nga SCAN TV
Konsumi i ujit, problem për inteligjencën artificiale - Google,

Gara globale për hapin e ardhshëm të inteligjencës artificiale gjeneruese po shton kujdesin e publikut mbi një çështje mjedisore të anashkaluar shpesh, por jashtëzakonisht të rëndësishme, që është konsumi i ujit. Gjigandët e teknologjisë, duke përfshirë Microsoft dhe kompaninë mëmë të Google, Alphabet, kanë raportuar së fundmi një rritje të konsiderueshme në konsumin e ujit dhe studiuesit thonë se një nga fajtorët kryesorë është gara për të përfituar nga vala e ardhshme e inteligjencës artificiale.

Shaolei Ren, një studiues në Universitetin Riverside të Kalifornisë, publikoi një studim në prill duke hetuar burimet e nevojshme për të ekzekutuar modele gjeneruese të inteligjencës artificiale, siç është ChatGPT i OpenAI. Ren dhe kolegët e tij zbuluan se ChatGPT konsumon 500 mililitra ujë, përafërsisht sasia e ujit në një shishe 0.5 litra për çdo 10 deri në 50 kërkesa, në varësi të kohës dhe vendit ku vendoset modeli i Inteligjencës Artificiale.

Autorët e studimit paralajmëruan se nëse çështja e konsumit të ujit nuk trajtohet si duhet, mund të bëhet një pengesë kryesore për përdorimin e përgjegjshëm shoqëror dhe të qëndrueshëm të Inteligjencës Artificiale në të ardhmen. “Përgjithësisht, publiku po bëhet më i ditur dhe më i vetëdijshëm për çështjen e ujit dhe nëse ata mësojnë se gjigantët e teknologjisë po marrin burimet ujore, askush nuk do ta pëlqejë”, deklaroi Ren për CNBC. “Mendoj se do të shohim më shumë përplasje për përdorimin e ujit edhe në vitet e ardhshme, kështu që ky lloj rreziku do të duhet të trajtohet nga kompanitë”, shtoi ai.

Qendrat e të dhënave janë si enët e gjakut për “Big Tech” dhe kërkohet shumë ujë për t’i mbajtur të freskët serverat, në mënyrë që të funksionojnë pa probleme. Për kompaninë Meta, këto qendra të dhënash gjenerojnë jo vetëm përqindjen më të lartë të përdorimit të ujit, por edhe pjesën më të madhe të përdorimit të energjisë dhe emetimeve të gazeve serrë.

Në muajin korrik, protestuesit dolën në rrugët e kryeqytetit të Uruguait për të kundërshtuar planin e Google për të ndërtuar një qendër të dhënash. Propozimi synonte të përdorte sasi të mëdha uji në një kohë kur vendi i Amerikës së Jugut po vuante thatësirën më të keqe në 74 vjet.

Por, Google tha se projekti ishte ende në një fazën studimore dhe theksoi se qëndrueshmëria mbetej në qendër të misionit të saj. Gjithashtu, në raportin e fundit të Microsoft për qëndrueshmërinë mjedisore, kompania amerikane e teknologjisë zbuloi se konsumi i saj global i ujit u rrit me më shumë se një të tretën nga viti 2021 në 2022, duke u ngjitur në gati 6.4 miliardë litra ujë. Kjo do të thotë se konsumi vjetor i uji nga Microsoft do të mjaftonte për të mbushur më shumë se 2500 pishina me përmasa olimpike.

Për Google, ndërkohë, konsumi total i ujit në qendrat e të dhënave dhe në zyra arriti në 21.1 miliardë litra në vitin 2022, në rritje me 21% krahasuar me vitin 2021. Të dyja kompanitë po punojnë për të reduktuar konsumin e ujit dhe për t'u bërë “pozitive ndaj ujit” deri në fund të dekadës, që do të thotë se synojnë të furnizojnë më shumë ujë sesa përdorin.

Megjithatë, këto shifra mbi konsumin e ujit janë përpara lançimit të ChatGPT. Fuqia kompjuterike e nevojshme për të ekzekutuar Bing Chat të Microsoft dhe Google Bard mund të nënkuptojë nivele dukshëm më të larta të përdorimit të ujit gjatë muajve të ardhshëm.

Por, si pritet ta reduktojnë firmat e teknologjisë, konsumin e ujit? Një zëdhënës i Microsoft deklaroi për CNBC se kompania po investon në kërkime për të matur përdorimin e energjisë, të ujit dhe ndikimin e karbonit të Inteligjencën Artificiale, ndërsa po punon për mënyrat për t'i bërë sistemet më efikase. Edhe Google ka njoftuar se po punon për të maksimizuar efikasitetin.

“Qendrat e të dhënave të Google janë projektuar, ndërtuar dhe operuar për të maksimizuar efikasitetin, krahasuar me pesë vjet më parë. Google tani ofron rreth 5 herë më shumë fuqi kompjuterike me të njëjtën sasi energjie elektrike të konsumuar”, deklaroi zëdhënësi i Google.

Lidion Kulla / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat