Bota Postuar më 6 Dhjetor 2023, 20:32

Euro, performuesja më e dobët - Rriten shanset që BQE të ulë normat e interesit në mars

Nga SCAN TV
Euro, performuesja më e dobët - Rriten shanset që BQE të

Euro po qëndron në rënie edhe në sesionin e sotëm, përballë dollarit amerikan, për shkak të rritjes së basteve se Banka Qendrore Europiane do të ulë interesat në fillim të marsit. Euro ka humbur 0.2% të vlerës në raport me monedhën e gjelbër dhe po tregtohet në rreth 1.077, niveli më i ulët në 3 javët e fundit.

Gjithashtu, monedha europiane po qëndron në nivelin më të ulët në 3 muajt e fundit përballë paundit dhe në nivelin më të ulët në 6 javë në raport me frangën zvicerane. Politikëbërësja me ndikim e BQE, Isabel Schnabel deklaroi për Reuters se rritjet e mëtejshme të normave të interesit mund të hiqen nga diskutimet duke pasur parasysh rënien e madhe të inflacionit në Eurozonë.

Tashmë, tregjet po vlerësojnë 85% shanse që Banka Qendrore Europiane të ulë normat e interesit në mbledhjen e marsit, ndërsa përgjatë gjithë vitit 2024 ulja mund të jetë me 150 pikë bazë. BQE do të vendosë mbi normat e interesit të enjten e javës së ardhshme dhe është e sigurt se do t'i lërë ato në nivelin rekord aktual prej 4%.

Edhe Rezerva Federale dhe Banka e Anglisë pritet të mos ndryshojnë politikat monetare të mërkurën dhe të enjten e ardhshme. Për Bankën Qendrore Amerikane investitorët vlerësojnë rreth 60% mundësi, për ta ulur normën bazë të interesit në takimin e marsit të vitit të ardhshëm.

Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 104, niveli më i lartë në 2 javët e fundit.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat