Bota Postuar më 22 Dhjetor 2023, 11:22

Kaosi në Detin e Kuq - Rrezikohen rritje çmimesh të mallrave për ekonominë globale

Nga SCAN TV
Kaosi në Detin e Kuq - Rrezikohen rritje çmimesh të mallrave

Konflikti mes Izraelit dhe Hamasit po jep pasoja nga më të ndryshme. Ndërkohë sulmet e militatëve Houthi ndaj anijeve me mallra në Detin e Kuq rrezikojnë të shkaktojnë një rritje të cmimit të mallrave për ekonominë globale

Sulmet në Detin e Kuq të lidhura me luftën Izrael-Hamas do të shkaktojnë vonesa të transportit dhe do të rrisin çmimin e mallrave, duke sjellë një rrezik të ri inflacioni për ekonominë.

Kompanitë e transportit detar po devijojnë ngarkesat pasi militantët Houthi të mbështetur nga Irani sulmuan anijet tregtare që lundronin në Detin e Kuq. Anijet do të duhet të lundrojnë rreth Afrikës në vend që të marrin rrugën më të shkurtër përmes Kanalit të Suezit.

Ky ndryshim i rrugës do të nënkuptojë kosto më të larta transporti dhe kohë më të gjatë dorëzimi. Deti i Kuq është një nga korsitë më të rëndësishme të transportit detar në botë, duke bartur rreth 14% të tregtisë detare globale. Ndër ekonomitë më të prekura nga ndërprerjet tregtare do të ishin Greqia, Jordania, Sri Lanka dhe Bullgaria, thanë analistët.

Më shumë se 20% e kontejnerëve që kalojnë përmes Kanalit të Suezit transportojnë mallra nga Azia në vendet europiane dhe mesdhetare. Anijet e devijuara do të duhet të lundrojnë rreth Afrikës për të arritur në Europë, duke i shtuar të paktën shtatë deri në 10 ditë udhëtimit.

Megjithatë, ka arsye për të besuar se ndërprerjet do të kenë vetëm një ndikim të moderuar ekonomik, sipas Bloomberg Economics. Ndërsa kostoja e dërgimit të një kontejneri nga Shangai në Roterdam është rritur 44% nga fundi i tetorit përpara fillimit të sulmeve, dhe me më shumë se 26% në Genova, ato mbeten shumë nën nivelet në 2021 dhe 2022 gjatë pandemisë.

Efekti në inflacion në Europë do të jetë i kufizuar pasi tregjet dhe kompanitë e transportit detar përshtaten me situatën e re. Eksportet nga Kina në Europë ranë çdo muaj që nga qershori, ndërsa rritja e eksporteve nga Japonia në Europën Perëndimore u ngadalësua në 1.1% në nëntor nga një vit më parë.

SHBA konfirmoi krijimin e një grupi të ri pune që synon të mbrojë anijet tregtare që udhëtojnë nëpër Detin e Kuq. Vendet pjesëmarrëse përfshijnë Britaninë e Madhe, Bahreinin, Kanadanë, Francën dhe Italinë. Si Japonia ashtu edhe Kina kanë baza ushtarake në Xhibuti, pranë Detit të Kuq, por nuk kanë thënë se do të marrin pjesë në këtë projekt - mburojë.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat