Bota Postuar më 21 Dhjetor 2023, 15:30

Analistët e tregjeve, optimistë për 2024 - “Ekonomia do të shmangë recesionin, e konfirmon tregu i banesave”

Nga SCAN TV
Analistët e tregjeve, optimistë për 2024 - “Ekonomia do

Asnjë ekonomist apo investitor nuk ka “globin e kristaltë” për të parë të ardhmen. Pra, kur bëhet fjalë për të bërë parashikime për vitin në vijim, shumë prej tyre mbajnë një qëndrim konservator, duke i shoqëruar vlerësimet e tyre për rënie apo rritje, edhe me disa paralajmërime se mund të ndodhë e kundërta.

Në vitin 2022, ndërsa bankat qendrore më të mëdha në botë nisën një regjim të paprecedentë të rritjes së normave të interesit, në përpjekje për të kontrolluar inflacionin e lartë, investitorët shitën aksione, duke rezultuar në një rënie prej 18% të indeksit S&P 500. Por, ky vit ka qenë shumë më i mirë për tregjet. Ngadalësimi i inflacionit e ka lejuar Rezervën Federale, të “heqë këmbën nga gazi”, një shenjë inkurajuese që banka qendrore mund të jetë në gjendje të krijojë të ashtuquajturën “ulje të butë”, që do të thotë se ekonomia do të ngadalësohet mjaftueshëm sa për të ftohur inflacionin, por pa u futur në recesion. Investitorët u përgjigjën pozitivisht ndaj këtyre zhvillimeve, duke bërë që indeksi S&P 500 të rritet me rreth 25% për vitin 2023. Ky indeks merret për bazë nga investitorët dhe sinjalizon gjendjen e ekonomisë, pasi përbëhet nga kompanitë e të gjithë sektorëve.

Por, çfarë thotë fallxhorët për vitin në vijim?

Me bankat qendrore që pritet të ulin normat e interesit në vitin 2024, shumë parashikojnë një vit të fortë për ekonominë dhe tregun e aksioneve, por disa janë më entuziastë se të tjerët. Mos prisni një recesion, por mos prisni që gjërat të shkojnë plotësisht pa probleme, thotë Kristina Hooper, kryestratege e tregut global në Invesco. “Mendoj se do të ketë disa dëme në ekonomi. Pra do të jetë një “ulje e butë” e ekonomisë, por do të ketë disa pengesa”, shton ajo, duke pasur parasysh sa shumë dhe sa shpejt janë rritur normat e interesit gjatë 2022 dhe 2023.

Të dhënat e fundit ekonomike vërtetojnë teorinë se 2024 do të jetë viti i uljes së normave të interesit dhe kjo është shumë pozitive për tregjet e aksioneve. Një rënie e interesave në mbarë botën duhet të paraqesë një vit të mirë për tregjet dhe më pak mundësi për një recesion.

Por, gjendja aktuale e ekonomisë nuk është një panoramë e shëndetshme. Inflacioni i vazhdueshëm ka tkurrur buxhetet e konsumatorëve, të cilët po tregohen më selektivë në blerjet e tyre. Njëkohësisht, falimentimet gjatë vitit 2023 ishin më të larta se 2022, një trend që mund të vazhdojë edhe gjatë 2024-ës, pasi shumë kompani, sidomos të vogla dhe të mesme do të kenë vështirësi me financimin. Gjithashtu, mund të shohim një tendencë të rritjes së papunësisë, pasi bizneset do të vazhdojnë edhe për pak kohë nën regjimin e normave të larta të interesit. Tek e fundit, të gjitha këto janë pjesë shumë të natyrshme të asaj që ndodh kur bankat qendrore rrisin normat e interesit. Pritshmëritë e përgjithshme janë që ekonomia globale të përballet me një ngadalësim në gjysmën e parë të vitit 2024 dhe me një rritje reale në gjysmën e dytë. Një tjetër faktor që analistët besojnë se nuk do të ketë recesion është tregu i banesave. Pothuajse çdo recesion që nga Lufta e Dytë Botërore është karakterizuar nga një rënie e sektorit të pasurive të paluajtshme. Kombinimi i një ekonomie elastike, sidomos në SHBA, dhe një bum i vazhdueshëm në inteligjencën artificiale, ka të ngjarë që tregjet ta gjejnë veten në një trajektore rritëse në vitin 2024.

Por, si të investojmë në vitin 2024?

Analistët parashikojnë se aksionet në sektorin financiar dhe të pasurive të paluajtshme mund të rriten, gjatë vitit 2024, pasi kanë pasur një periudhë të vështirë në dy vitet e fundit dhe nuk janë rikthyer plotësisht sikurse shumica e sektorëve të tjerë. Një tjetër mundësi investimi mund të jenë aksionet e kompanive jo shumë të mëdha, nga tregjet në zhvillim. Por, veçanërisht për investitorët e rinj, përpjekja për të kuptuar se çfarë do të ndodhë në treg në vitin 2024 është më pak e rëndësishme sesa përvetësimi i historisë së tregut dhe zbatimi i planeve afatgjata.

Në fund të fundit është e është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë dhe këtë e konfirmon e kaluara. Në fillim të vitit 2022, nuk pritej që bankat qendrore më të mëdha në botë të rrisin normat e interesit. Kjo i kapi analistët dhe investitorët të papërgatitur. Gjithashtu, nuk pritej që në vitin 2023, ekonomia amerikane të performonte mjaft mirë, në një ambient me norma të larta të interesit.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat