Shqipëria Postuar më 2 Korrik 2022, 12:49

Inceneratori i Elbasanit, me çmim energjie - Pas përplasjeve me koncesionarin, ERE merr vendimin. Për zgjidhjen e “konfliktit” ndërhyri MIE!

Nga SCAN TV
Inceneratori i Elbasanit, me çmim energjie - Pas përplasjeve me

Pas disa refuzimesh, Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar çmimin, me të cilin do të shitet energjia elektrike që do të prodhohet nga djegia e mbetjeve në inceneratorin e Elbasanit. Referuar vendimit, çmimi do të jetë 5.77 lekë/kWh, ndërsa merr në konsideratë shpenzimet vjetore të operimit, normën e fitimit dhe prodhimin vjetor të energjisë elektrike të parashikuar.

Miratimi ka ardhur pas ndërhyrjes së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që në fillim të muajit qershor i ka kërkuar ERE-s trajtimin e kërkesës së “Albtek Energy”, sipas një metodologjie të bazuar në kostot e operimit të impiantit, sipas dispozitave ligjore dhe kompetencave të ERE-s.

Përcaktimi i kësaj metodologjie ishte pengesa për caktimin e çmimit, teksa vazhdimisht ERE i ka kërkuar ministrisë përcaktimin e saj për shkak të rastit specifik që përfaqësonte ky impaint. Kjo pasi ai ka një fuqi të instaluar prej 2850 KW, pra mbi kufirin 2 MW, që ligji i ngarkon Entit Rregullator të Energjisë detyrimin për të përcaktuar çmime të shitjes së energjisë.

Në mungesë të përcaktimit të metodologjisë, përplasja mes ERE-s dhe kompanisë mbajtëse të kontratës së partneritetit publik-privat “Albtek Energy” përfundoi në gjykatë. Ndërkaq, në relacionin e vendimit për përcaktimin e çmimit, specifikohet se shoqëria “Albtek Energy” ka bërë me dije se përcaktimi i çmimit të shitjes së energjisë elektrike nga impianti i përpunimit të mbetjeve urbane në qytetin e Elbasanit, do t’i jepte zgjidhje problematikës së krijuar dhe si rrjedhojë do të sillte përfundimin e procesit gjyqësor.

Ndërkaq, gjatë muajit maj, Enti Rregullator i Energjisë licencoi inceneratorin e Elbasanit në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike. Vendimi u mor me procedurë të përshpejtuar, pas kërkesës së bërë nga shoqëria “ECO – ELB”, që ka deklaruar se ndodhet në kushtet e situatës emergjente. “ECO –ELB” është shoqëria e krijuar për zbatimin e detyrimit koncesionar të transferimit të impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane, pas vendosjes nën sekuestro konservative të të gjithë aseteve të kompanisë “Albtek Energji”, që ishte mbajtëse e koncesionit.

Ndërkaq, gëzimi i përkohshëm, që i është dhënë kësaj kompanie do të shërbejë edhe si periudhë reference për afatin e vlefshmërisë së licencës që ERE ka lëshuar për këtë central, që është mars 2023.

Ola Mitre / SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=OpUZy1zWG5I

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat