Europa Postuar më 23 Maj 2022, 12:23

Gjermania: Të shmanget Hungaria! - Budapesti ndalon vendosjen e embargos së plotë të BE për naftën ruse

Nga SCAN TV

Ministri gjerman i ekonomisë Robert Habek paralajmëroi Hungarinë për sa i përket bllokimit të përpjekjeve për të imponuar një embargo të gjerë nga ana e BE-së ndaj naftës ruse si pasojë e luftës në Ukrainë.

Habek u shpreh se ka zgjidhje të ndryshme për vende të ndryshme, gjatë fjalës së tij në forumin botëror të ekonomisë në Davos. Ai theksoi se priste që të gjithë, përfshirë dhe Hungarinë, të punonin për një zgjidhje.

Në një intervistë të mëparshme për një radio gjermane, Habek tha se ndihej i zhgënjyer për faktin se Bashkimi Europian nuk kishte gjetur ende një marrëveshje për embargon e planifikuar, pas javësh të tëra pune dhe bisedimesh. Ai shtoi se Gjermania do të ishte e gatshme të shmangte pjesëmarrjen e Hungarisë për të përshpejtuar procesin.

Ai tha se nëse presidenti i komisionit europian do të shprehej se kjo gjë do të bëhet me 26 vendet anëtare, dhe pa Hungarinë, atëherë ky do të ishte një proces që Berlini do e mbështeste. Por Habek tha se ende nuk e kishte dëgjuar një gjë të tillë nga Bashkimi europian.

Mes 27 vendeve anëtare të BE-së, Hungaria është një nga zërat më kritikë për sa i përket embargos së planifikuar ndaj naftës ruse. Komisioni europian ka propozuar që të ndalojë importin e naftës ruse brenda këtij viti në shumë prej vendeve anëtare, ndërkohë që Hungarisë dhe disa vendeve të tjera mund t’i lihet pak më shumë kohë në dispozicion

Por Budapesti, një nga aleatët më të ngushtë të Moskës në BE, u shpreh se do t’i duheshin qindra milion euro nga blloku për të kompensuar humbjen e naftës ruse. BE-së i duhet miratimi i të 27 vendeve anëtare në mënyrë që të aplikohet embargoja e plotë.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat