Shqipëria Postuar më 23 Maj 2022, 12:18

Bonot e thesarit, më shumë fitime për qytetarët - Rriten normat e interesit të letrave me vlerë. Bankat pak aktive, presin rritje të mëtejshme

Nga SCAN TV

Siç ishte paralajmëruar, rritja e normës bazë të interesit nga ana e Bankës së Shqipërisë ka nisur të reflektohet në normat e përfitimit nga letrat me vlerë të qeverisë veccanërisht për segmentin e qytetarëve. Qoftë bonot e thesarit, por veccanërisht obligacionet, kanë shënuar rritje të normave të interesit gjatë muajve të parë të vitit, të nxitura edhe nga pritshmëritë për rritje të inflacionit, duke qenë se bankat tregtare kanë qenë më pak aktive, në pritje të përfitimeve më të mëdha në të ardhmen.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, nëse në fillimin e vitit 2022, interesat e letrave me vlerë të qeverisë janë luhatur në nivele të qëndrueshme, duke nisur prej javës së parë të muajit mars, ato kanë regjistruar rritje të njëpasnjëshme. Ndryshimet në kahun rritës fillimisht kanë qenë minimale, ndërkohë që më pas reflektuan edhe ndryshimin e normës bazë, në disa tituj edhe përtej përcjelljes graduale të pritshme të këtij ndryshimi.

Kjo prirje e interesave është diktuar kryesisht nga sjellja e bankave në ankandet e tregut primar. Perceptimi i tyre për rritjen e mëtejshme të inflacionit, thotë Banka e Shqipërisë në analizën që i bën këtij tregu, ka sjellë shtyrje në kohë të një pjese të kërkesës për të investuar në letra me vlerë të qeverisë, dhe rritje të kthimit të kërkuar nga këto investime.

Më specifikisht, në fillim të muajit prill: interesi i bonove 12-mujore shënoi 2.2%, duke regjistruar një rritje prej 0.60 pikë përqindje nga muaji janar; interesi i obligacionit 10-vjeçar u rrit me 0.65 pikë përqindje; ndërkohë që interesi 2-vjeçar shënoi një rritje të krahasueshme me atë të normës bazë. Banka e Shqipërisë parashikon që një shtrirje e përcjelljes së sinjaleve të politikës monetare edhe në maturitetet e tjera të tregut primar pritet të ndodhë në ankandet e ardhshme. Këto zhvillime janë materializuar në një nivel më të lartë të kurbës së interesave.

Ndërkaq, në muajin prill, Ministria e Financave dhe Ekonomisë realizoi gjithashtu emetimin e një obligacioni 2-vjeçar në euro. Interesi i tij rezultoi 2.2%, me një rritje prej 0.3 pikë përqindjeje në krahasim me interesin e obligacionit të emetuar dy vite më parë.

Lorenc Rabeta / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat