Bota Postuar më 9 Shtator 2022, 16:10

Gjermania, masa për tkurrur biznesin me Kinën - Qeveria po shqyrton planet për të reduktuar varësinë nga ekonomia aziatike

Nga SCAN TV
Gjermania, masa për tkurrur biznesin me Kinën - Qeveria po shqyrton

Ministria e ekonomisë në Gjermani po shqyrton një sërë masash për të bërë sa më pak tërheqës biznesin me Kinën, në përpjekje për të reduktuar varësinë e saj nga ekonomia aziatike. Lajmi është konfirmuar nga dy burime pranë ministrisë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Masat mund të përfshijnë reduktimin apo edhe heqjen e garancive të investimeve dhe eksportit për Kinën dhe ndalimin e promovimeve të panaireve tregtare dhe trajnimit të menaxherëve në vend. Huatë nga huadhënësi shtetëror KfW, mund të ridrejtohen në projekte në vende të tjera aziatike, si Indonezia, në përputhje me përpjekjet për të diversifikuar tregtinë dhe për të rritur biznesin me vendet demokratike.

Ministria po konsideron gjithashtu shqyrtimin jo vetëm të investimeve kineze në Gjermani, por edhe të investimeve gjermane në Kinë, tha një nga burimet për Reuters.

Për më tepër, qeveria po shqyrton dorëzimin e një ankese në Organizatën Botërore të Tregtisë për ato që ajo konsideron si praktika të padrejta tregtare kineze.

Një zëdhënës i ministrisë së ekonomisë nuk pranoi të komentonte mbi këto masa specifike, por tha se ministria po analizonte masat në fjalë për të mbështetur diversifikimin e zinxhirëve të tregtisë dhe furnizimit, si dhe forcimin e elasticitetit.

Ministria kishte vendosur tashmë të mos jepte më garanci investimi për projektet në rajonin e Xinjiang ose kompanive me marrëdhënie biznesi atje, duke pasur parasysh shqetësimet për abuzimet e të drejtave të njeriut atje dhe mungesën e informacionit të besueshëm.

Në muajin maj të këtij viti, ministria e ekonomisë mohoi garancitë e Volksvagen për investime të reja në Kinë për shkak të shqetësimeve për Xinjiang.

Kina u bë partneri kryesor tregtar i Gjermanisë në vitin 2016, me një vëllim tregtie prej mbi 245 miliardë eurosh vitin e kaluar, duke ndihmuar në rritjen e ekonomisë më të madhe të Europës.

Prodhuesit gjermanë të makinave janë veçanërisht të ekspozuar ndaj tregut kinez, ku Volksvagen regjistron rreth gjysmën e fitimeve të tij atje. Gjermania dhe Europa gjithashtu mbështeten te Kina për disa lëndë të para, siç janë mineralet e rralla.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat