Rajoni Postuar më 28 Qershor 2023, 10:07

FMN, “detyra shtëpie” për Maqedoninë e Veriut: “Miratoni reformën tatimore. Të hiqen subvencionet për energjinë”!

Nga SCAN TV
FMN, “detyra shtëpie” për Maqedoninë e Veriut:

Pas përfundimit të takimeve me zyrtarë të lartë të Maqedonisë së Veriut, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar një raport ku “skanon” situatën ekonomike. Prodhimi i Brendshëm Bruto parashikohet të ketë një rritje reale prej 2,1% këtë vit, ndërsa inflacioni ka filluar të bjerë, i ndihmuar nga ulja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, si dhe nga shtrëngimi i vazhdueshëm i politikës monetare. Çmimet e konsumit pritet të rriten mesatarisht me 9.2 % këtë vit dhe me 3.5 % në vitin 2024.

Në raport, thuhet se, financat publike janë në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin e deficitit të përcaktuar në buxhetin e vitit 2023 të miratuar nga parlamenti. Megjithatë, vonesat në miratimin e reformës tatimore dhe taksës së solidaritetit kompromentojnë të ardhurat tatimore dhe mund të vënë në rrezik shpenzimet prioritare. Ndërkohë përpjekjet për përmirësimin e mbledhjes së taksave duhet të jenë të qëndrueshme dhe të përshpejtuara.

Sipas FMN, tashmë ka hapësirë në buxhetin e shtetit për rritje të pagave me afro 10%, e ngjashme me normën e parashikuar të inflacionit për vitin 2023, duke përfshirë harmonizimin e pagës minimale këtë vit. Por, çdo gjë mbi këto përmasa do të krijonte një barrë të madhe dhe të përhershme për buxhetin dhe gjithashtu do të rrezikonte të shtrydhte shpenzime të tjera thelbësore. Rritjet e mëdha të pagave do të rrezikonin gjithashtu shndërrimin e inflacionit të lartë përkohësisht, në inflacion të lartë të vazhdueshëm.

Përsa i përket sektorit energjetik, FMN vëren se çmimet për shumicën e familjeve mbeten shumë të subvencionuara dhe ndër më të ulëtat në Europë. Si rezultat, financat publike janë të pambrojtura ndaj rritjeve të kostos së energjisë. FMN kërkon që të vazhdohet me reformat e tarifave të energjisë elektrike që gradualisht të hiqet dorë nga subvencionet dhe të forcohet efikasiteti. Konteksti aktual i çmimeve më të ulëta ndërkombëtare të energjisë ofron një mundësi për të vazhduar reforma të tilla. Mbështetja për faturat e energjisë elektrike duhet të synohet për familjet më të varfra, në vend që të përfitojnë shumica e familjeve në mënyrë të pacaktuar, siç ndodh aktualisht.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll
Shqipëria 28 Qershor

Çfarë ka ndodhur sot në tregun valutor?!

Dollari amerikan vijon të humbasë vlerën e tij në raport me monedhën vendase edhe këtë të mërkurë teksa është blerë këtë mëngjes me 96.8 lekë dhe është shitur......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat