Shqipëria Postuar më 26 Janar 2023, 14:24

“Fluturon” tregu sekondar i titujve të Qeverisë, rritje 147% - Normat e reja të interesit japin efektin edhe te shitjet me pakicë, 40 milionë dollarë plus

Nga SCAN TV
“Fluturon” tregu sekondar i titujve të Qeverisë, rritje

Efekti i rritjeve të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit nga ana e Bankës së Shqipërisë është reflektuar edhe në tregun sekondar të titujve të Qeverisë. Në totalin e transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku, të sapopublikuara nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, vihet re një rritje në vlerë absolute me rreth 4 miliardë lekë, krahasuar me vitin 2021, ose afërisht 40 milionë dollarë.  E thënë ndryshe, nga rreth 50 milionë dollarë në vitin 2021, tregu me pakicë i titujve të Qeverisë për vitin 2022 ka kërcyer në rreth 90 milionë dollarë.

Nga analiza e të dy llojeve të transaksioneve rezulton se rritje kanë shënuar si volumi i transaksioneve, ashtu edhe numri i tyre.

Transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë vitit 2022, ka pasur një rritje prej 3,6 miliardë lekësh, afërisht 36 milionë dollarë, ose 147.68% krahasuar me vitin 2021. Numri i transaksioneve i llojit B është rritur në masën 87.26%.

Transaksioni i llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë vitit 2022, ka pasur një rritje prej 397 milionë lekë, diccka më pak se 4 miliona dollarë, ose 14.54%, ndërkohë pati një ulje në numrin e transaksioneve në masën 13.13%, krahasuar me vitin 2021.

Vëllimi i tregut sekondar të titujve të Qeverisë për vitin 2022, u dominua në masën 50.52% nga transaksione në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe 49.48% nga transaksionet në instrumente afatgjatë (obligacione). Parë nga këndvështrimi i numrit të transaksioneve, 80.01% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të titujve të Qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera në bono thesari.

Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të titujve të Qeverisë për vitin 2022, flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 67.77% dhe 18.96% kundrejt vëllimit të përgjithshëm.

Pjesëmarrja në tregun sekondar të titujve të Qeverisë, për vitin 2022 dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 99.06% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.

Lorenc Rabeta / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat