Shqipëria Postuar më 19 Qershor 2024, 13:10

Flota detare shqiptare del nga “Lista e Zezë” e Paris MoU - Jo më kontrolle të rrepta nga autoritetet portuale për anijet shqiptare

Nga SCAN TV
Flota detare shqiptare del nga “Lista e Zezë” e Paris MoU - Jo

Flota shqiptare e anijeve ka dalë nga Lista e Zezë e Organizatës së Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit. Renditja e Shqipërisë tashmë në Listën Gri, është dëshmi se anijet tona përmbushin standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe mjedisit, si dhe kushte mesatare të përshtatshme pune për anëtarët e ekuipazhit.

Në një postim në rrjetet sociale, Komuniteti Ndërkombëtar i Transportit ka përgëzuar Shqipërinë lidhur me angazhimin dhe masat efektive të marra për arritjen e këtij rezultati.

Në korrik 2021, ky Komunitet në bashkëpunim me Autoritetin Portual të Durrësit dhe Drejtorinë e Përgjithshme Detare të Shqipërisë, hartuan një udhërrëfyes gjithëpërfshirës që përmbante 34 masa të forta për përmirësimin e performancës së flotës shqiptare. Pas tre vitesh përpjekje, në listën e publikuar së fundmi nga Komiteti i Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit, flota shqiptare vlerësohet me një performancë mesatare.

Dalja e Shqipërisë nga Lista e Zezë nënkupton se autoritetet portuale nuk do të ushtrojnë më kontrolle të rrepta ndaj anijeve.  Mjetet lundruese nën flamurin “Gri” do të jenë objekt i kontrolleve më të pakta nga autoritetet portuale, pasi konstatohen me një nivel më të lartë sigurie se më parë.

Nëpërmjet një sistemi të harmonizuar të kontrollit shtetëror portual, Organizata e Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit kryen çdo vit më shumë se 17.000 inspektime në bordet e anijeve të huaja nëpër porte. Me përmirësimin e performancës së saj, pritet që Shqipëria të aplikojë së shpejti për anëtarësim të plotë në këtë organizatë.

Ledina Elezi/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat