Bota Postuar më 13 Prill 2023, 09:56

Euro, në nivelin më të lartë në 2 muaj - Ngadalësohet inflacioni në SHBA, FED mund të mos rrisë interesat

Nga SCAN TV
Euro, në nivelin më të lartë në 2 muaj -

Tregu monetar po shfaqet i qëndrueshëm në sesionin e sotëm, pas humbjeve të realizuara një ditë më parë si pasojë e ngadalësimit të inflacionit në SHBA. Tashmë janë shtuar mundësitë që Rezerva Federale të mos ndryshojë normën bazë të interesit në takimin e majit. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 101.4, niveli më i ulët në një javë. Ndërsa në sesionin e kaluar, ky indeks ra me 0.6%.

Referuar të dhënave në SHBA, Indeksi i Çmimeve Konsumatore u rrit me vetëm 0.1%, gjatë marsit, pas rritjes me 0.4% në shkurt. Analistët parashikonin një rritje me 0.2%. Me bazë vjetore, inflacioni në SHBA u ngadalësua në 5%, gjatë muajit të kaluar, nga 6% që ishte në shkurt.

Njëkohësisht, procesverbali i takimit të fundit të Rezervës Federale tregoi se, politikëbërësit po konsiderojnë një pauzë në rritjen e interesave, pas problemeve të shfaqura nga disa banka amerikane.

Gjithashtu, Rezerva Federale po përgatitet për një recesion të lehtë, gjatë këtij viti. Euro, ndërkohë, i është afruar shumë nivelit të 1.1 dollarëve, që është niveli më i lartë në 2 muajt e fundit. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në rreth 30 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1910 dollarë.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat