Shqipëria Postuar më 4 Maj 2023, 15:26

ERE licencoi 292 MW energji - Në 2022-in kryeson energjia diellore, u dhanë licenca edhe për 14 hidrocentrale

Nga SCAN TV
ERE licencoi 292 MW energji - Në 2022-in kryeson energjia diellore, u

Viti 2022 shënoi zhvillime në drejtim të licencave të dhëna për prodhimin e energjisë elektrike, duke qenë se një numër i konsiderueshëm u dha për shfrytëzimin e diellit si burim, ndërsa nuk munguan as licencat e reja për hidrocentrale.

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, në total kapaciteti arrin në 292 MW, nga të cilat rreth 227 MW janë centrale diellore, rreth 62 MW burime të prodhimit të energjisë nga uji dhe 2.85 MW është inceneratori i Elbasanit, që shfrytëzon mbetjet si burim për të gjeneruar energji.

Në total janë 22 subjekte që kanë mundur të licencohen në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike, 6 prej të cilave për gjenerimin e energjisë nga hidrocentralet. Në total këto subjekte do të ndërtojnë e do të shfrytëzojnë për prodhim 14 HEC-e.

Ndërkaq, sa i takon madhësisë, sasia më e lartë e licencuar i takon parkut fotovoltaik në Karavasta me një kapacitet prej 140 MW, që u finalizua pas ankandit të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërkohë që pjesa tjetër janë centrale kryesisht të vegjël, me kapacitet deri në 2 - 10 MW.

Përjashtim bën vetëm centrali Blue 1, që parashikohet të ketë kapacitet të instaluar prej 50 MW. Ndërkaq, edhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, që është gjeneruesi publik i energjisë ka hedhur sytë nga dielli, por gjithsesi aktualisht në funksion është vetëm impianti në digën e Qyrsaqit, që ka një kapacitet të instaluar prej 5.1 MW.

Ola Mitre / SCAN

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat