Nxehtësi, kërkesë për energji, emetime CO2 dhe kosto - Analiza në “Ilsole24ore”: Ja ndikimi i kondicionerëve në 25 vende
Të pasurit e një kondicioneri rrit mesatarisht konsumin e energjisë elektrike të një familjeje me 36–37%, me kulme deri në 57% në rajonet më të nxehta. Një ndryshim i heshtur që rëndon mbi rrjetet elektrike, faturat dhe, në fund, mbi klimën
Instalimi i një kondicioneri në banesa sjell një rritje mesatare të konsumit të energjisë elektrike prej 36%, sipas modeleve më të sakta. Një studim i fundit ndërkombëtar, i koordinuar nga Enrica De Cian (Universiteti Ca’ Foscari i Venecias) së bashku me studiues të tjerë të Qendrës Euro-Mesdhetare për Ndryshimet Klimatike (CMCC), IIASA, ifo Institute dhe Universitetit të Bostonit, analizon se si përdorimi dhe përhapja e kondicionerëve po ndikon në konsumin e energjisë elektrike nëpër banesa në mbarë botën. Në ditë veçanërisht të nxehta, kur temperaturat tejkalojnë mesataret sezonale dhe treguesi i “Cooling Degree Days” (një indikator klimatik që vlerëson nevojën për energji për ftohjen e ndërtesave gjatë stinës së nxehtë) është i lartë, kjo rritje mund të arrijë deri në 57%. Në shumë vende, veçanërisht ato që tashmë përjetojnë valë të nxehti ekstreme, kondicioneri nuk është më një luks, por një domosdoshmëri për shëndetin, sidomos për të moshuarit, fëmijët dhe personat e brishtë. Rritja e temperaturave globale – e vlerësuar mbi 1,1°C krahasuar me epokën paraindustriale – po shtyn gjithnjë e më shumë familje të pajisen me sisteme ftohjeje, edhe në rajone që deri para pak vitesh bënin fare mirë pa to.
Varfëria energjetike
Studimi nxjerr në pah megjithatë një ndarje socio-ekonomike: konsumi i energjisë për ajër të kondicionuar ndryshon ndjeshëm në varësi të të ardhurave. Familjet me të ardhura të larta konsumojnë mesatarisht 1.436 kWh në vit vetëm për ftohje, ndërsa ato me të ardhura më të ulëta ndalen rreth 679 kWh. Ky hendek nuk shpjegohet vetëm me mundësinë për të blerë pajisjen: familjet e pasura priren të zgjedhin modele më të fuqishme dhe t’i përdorin për më shumë kohë, duke ftohur më shumë dhoma dhe duke mbajtur temperatura shumë të ulëta brenda, edhe në ditët më pak të nxehta. Në të kundërt, ata me më pak mundësi ekonomike shpesh përdorin kondicionerë të vjetër ose më pak efikasë, dhe i ndezin vetëm në orët më të nxehta, për të kufizuar kostot. Po flitet për një “formë të re të varfërisë energjetike verore”: nuk bëhet më fjalë vetëm për të mos pasur mundësi të ngrohësh shtëpinë siç duhet në dimër, por edhe për të mos pasur mundësi ta mbash të jetueshme në verë.
Konsumi për familje në vende të ndryshme
Në Shtetet e Bashkuara, ku përhapja është tashmë shumë e lartë dhe banesat janë të mëdha, konsumi për familje është ndër më të lartët në botë, me përdorim intensiv që gjeneron kulme të forta gjatë verës; në Indi, përqindja e shtëpive me kondicioner është ende e ulët, por pritet të rritet me shpejtësi, duke shtyrë kërkesën për energji elektrike në nivele të tilla që do të kërkojnë një rritje të kapacitetit të prodhimit deri në 29%, me pasoja të rëndësishme për emetimet nëse energjia vijon të jetë nga burime fosile; Kina, tashmë me një përhapje të konsiderueshme, do të shohë një rritje më pak të shpejtë në terma përqindjeje, por shumë të madhe në vlerë absolute, për shkak të popullsisë, duke e bërë strategjik kalimin në sisteme efikase dhe burime të rinovueshme; në Evropë, përhapja nis nga nivele më të ulëta dhe ndikimi total mbi rrjet është më i vogël, por rritja e valëve të të nxehtit po përshpejton adoptimin, veçanërisht në vendet jugore, duke vënë edhe këtu në qendër problemin e kombinimit të komoditetit me qëndrueshmërinë dhe reduktimin e “varfërisë së ftohjes”.
Projektime deri në vitin 2050
Parashikimet janë të qarta: pa ndërhyrje të drejtuara, fenomeni pritet të rritet shpejt. Sot, 27,5% e banesave në botë kanë kondicioner. Sipas skenarëve të ndryshëm socio-ekonomikë të analizuara, deri në vitin 2050 kjo përqindje do të ngjitet në 40,7–54,6%. Në terma konsumi, kërkesa globale e energjisë për ftohje shtëpiake do të rritet gati dy ose tre herë krahasuar me nivelet aktuale: do të kalohet nga nivelet e sotme në një nevojë që varion nga 976 TWh në 1.393 TWh në vit. Pasojat mjedisore nuk duhen nënvlerësuar: parashikohen emetime shtesë nga 670 deri në 956 milionë ton CO₂ në vit, me një kosto sociale që mund të variojë nga 124 deri në 177 miliardë dollarë.
Ndikimi ekonomik dhe mjedisor
Një rrugëdalje e mundshme ekziston, dhe është në mënyrë befasuese e lidhur drejtpërdrejt me problemin. Zonat me potencial më të madh diellor priren të jenë edhe ato ku kërkesa për ftohje është më e ndjeshme ndaj kostove të energjisë. Me fjalë të tjera, instalimi i paneleve fotovoltaike mund të ulë ndjeshëm ndikimin ekonomik dhe mjedisor të kondicionerëve, sepse prodhimi i energjisë diellore përkon me momentet e përdorimit maksimal. Kjo sinergji mund të jetë një nga çelësat për të përballuar sfidën: jo të hiqet dorë nga komoditeti — i cili për shumë tashmë është një domosdoshmëri — por ta bësh atë të qëndrueshëm. Rreziku është që të krijohet një rreth vicioz: sa më shumë që klima nxehet, aq më shumë rritet kërkesa për ftohje, e cila, nëse furnizohet nga burime fosile, kontribuon në ngrohjen globale.
Burimi:Ilsole24ore

Shqiptarët i “largohen” euros - BSH: Paketa e deeuroizimit jep efekt në pakësimin e kredive dhe depozitave në valutë
Shqipëria ka bërë hapa përpara drejt uljes së përdorimit të euros dhe rritjes së përdorimit të lekut. Kështu thotë Banka e Shqipërisë në raportin e saj më të......

150 mijë euro financim për serat diellore - Skema e investimeve/ Nga rrjetat antibreshër, tek agroturizmi. Kriteret
Fermerët dhe agrobizneset kanë afat aplikimi deri më 30 shtator për të përfituar financim përmes Skemës së Investimeve në bujqësi. Ministria e Bujqësisë ka......

“Befason” arsimi i lartë, rriten regjistrimet/ Biznesi, shkencat natyrore dhe teknologjia, degët më të preferuara
Sipas të dhënave nga INSTAT, arsimi i lartë sjell ndryshime pozitive për vitin akademik 2024-2025. Me 122,613 studentë të regjistruar është shënuar një......

Bizneset, detyrime për shkarkimet e gazeve serrë - Monitorimi, sipas sistemit evropian. Kosto shtesë për industrinë
Ndryshimet e propozuara në ligjin “Për ndryshimet klimatike” vendosin detyrime të qarta ligjore për kompanitë që prodhojnë, transportojnë ose përdorin lëndë......

Intensifikohen zjarret në vend/ MM: 50 vatra në 24 orët e fundit, 19 ende aktive!
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 ndër të cilat mbeten ende aktive. Vatrat aktive......

Rreth 65% e borxhit të brendshëm mbahet nga bankat - Shumica e tij gjendet në obligacione. Bie edhe raporti ndaj PBB
Borxhi i brendshëm ka arritur shifra rekord gjatë këtij viti. Sipas buletinit statistikor të Ministrisë së Financave, ky stok vlerësohet të ketë kapur vlerën......

Si ndikohen zjarret nga ndryshimet klimatike? - Evropa, kontinenti më i rrezikuar nga rritja e temperaturave
Zjarret kanë përfshirë zona të ndryshme të Mesdheut këtë muaj, duke detyruar mijëra njerëz në rajonin e Katalonjës në Spanjë të qëndrojnë në izolim dhe duke......

Biznes në Shqipëri? Lehtësohen procedurat - Ndryshon ligji/ Regjistrim online për investitorët e huaj dhe emigrantët
Investitorët e huaj apo emigrantët shqiptarë në të gjithë botën që dëshirojnë të investojnë në atdhe, tashmë do ta kenë më të lehtë ta bëjnë këtë vetëm......