FunData Postuar më 29 Korrik 2025, 11:03

Shqipëria mikpret 18 të huaj çdo minutë! Bota po zbulon vendin tonë. Interes i lartë nga Izraeli, Egjipti dhe Kina

Nga Xhorxhina Deda

Shqipëria mikpret 18 të huaj çdo minutë! Bota po zbulon

Në gjysmën e parë të vitit 2025, Shqipëria ka pritur mbi 4.76 milionë shtetas të huaj, duke shënuar një rritje prej 4.8% krahasuar me vitin paraardhës. Ky është një pozicion që konfirmon se vendi ynë po përforcon rolin e tij si një destinacion turistik në rritje, jo vetëm në rajon, por edhe në nivel më të gjerë. E përkthyer në shifra të përditshme, kjo do të thotë se gjatë çdo ditë të gjysmës së vitit, Shqipëria ka mirëpritur mesatarisht 26 mijë vizitorë të huaj, ose rreth 1,083 hyrje në orë. Praktikisht, në çdo minutë, 18 persona nga vende të ndryshme të botës kanë hyrë në territorin shqiptar.

Edhe këtë vit, Kosova mban vendin e parë për numrin e hyrjeve, me mbi 1.6 milionë vizitorë, një shifër që përkthehet në rreth 9 mijë hyrje në ditë. Pas saj vjen Italia, me mbi 510 mijë hyrje, që do të thotë më shumë se 3 mijë italianë në ditë, ose afërsisht 116 në orë. Më tej renditen Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Greqia, të gjitha me mbi 300 mijë hyrje secila dhe me një ritëm mesatar prej afro 2,000 hyrjesh në ditë.

Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Turqia dhe Franca plotësojnë ‘Top 10’ vendet me hyrjet më të larta në vendin tonë për gjysmën e parë të vitit 2025.

Ndërkohë, nëse flasim për rritjen vjetore, Izraeli është shembulli më i mirë, me një rritje prej 300%, nga 4 mijë hyrje në vitin 2024, në mbi 16 mijë këtë vit. Po ashtu, India, Kina, Australia dhe Egjipti kanë rritje të ndjeshme, që sinjalizojnë zgjerimin e interesit ndaj Shqipërisë edhe nga tregjet jashtë kontinentit europian.

Megjithatë, jo të gjitha vendet kanë pasur ecuri pozitive. Polonia, Rumania, Rusia, Bjellorusia, dhe Letonia kanë ulje të ndjeshme në numrin e hyrjeve. Pavarësisht se ka numrin më të lartë, edhe hyrjet nga Kosova kanë shënuar një rënie prej 4.6%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat