Analiza Postuar më 29 Korrik 2025, 11:11

Femrat punojnë më shumë me kohë të pjesshme/ Grupmosha e re dhe pensionistët e preferojnë më shumë

Nga Eldiona Serani

Femrat punojnë më shumë me kohë të pjesshme/ Grupmosha

Të punuarit është një nevojë thelbësore për çdo qytetar, pasi përmes tij sigurojmë të ardhurat që na duhen për të përballuar shpenzimet dhe kostot e jetesës. Zgjedhja e punës dhe orarit të saj ndryshon nga njëri person te tjetri, në varësi të mundësive dhe kushteve që secili ka. Shumë individë, sidomos të rinjtë, zgjedhin të punojnë me kohë të pjesshme, duke e kombinuar këtë me studimet apo me një punë të dytë për të rritur të ardhurat. Edhe pse zakonisht mendohet se puna me kohë të pjesshme është më e përhapur tek të rinjtë, ajo haset edhe tek grupmoshat e tjera.

Gjatë vitit 2024, të dhënat tregojnë se në grupmoshën 15 deri në 24 vjeç, 25.8% e të punësuarve gjithsej kanë punuar me kohë të pjesshme. Ky numër lidhet me faktin se të rinjtë kanë më shumë fleksibilitet për të pasur një punë të dytë, por edhe sepse ndjekja e studimeve nuk u lejon një angazhim të plotë në punë. Ndryshe paraqitet situata për grupmoshën 25 deri në 54 vjeç, ku vetëm 10% e të punësuarve punojnë me kohë të pjesshme ndaj numrit total të të punësuarve. Kjo moshë zakonisht angazhohet me punë me kohë të plotë për shkak të stabilitetit financiar dhe përgjegjësive familjare.

Në moshat më të mëdha, përqindja e atyre që punojnë me kohë të pjesshme është më e lartë. Në grupmoshën 55-64 vjeç, 18.4% e të punësuarve kanë zgjedhur këtë formë punësimi, ndërsa për moshat edhe më të mëdha kjo shifër arrin në 43.9%, ndaj të punësuarve në total. Kjo lidhet me faktin që shumë prej tyre, edhe pse mund të jenë në pension apo të vetëpunësuar, kërkojnë një mënyrë më të lehtë dhe fleksibile për të mbetur aktivë në tregun e punës.

Një tjetër dallim interesant është ai mes gjinive puna me kohë të pjesshme është dukshëm më e përhapur te femrat sesa te meshkujt, çka tregon edhe ndarjen e roleve dhe përgjegjësive që ende ekziston në shumë familje dhe shoqëri.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat