FunData Postuar më 14 Prill 2026, 11:37

Në tre vjet, mesatarisht 84 shqiptarë në ditë fituan shtetësinë italiane/ Përgjatë 2021-2023, mbi 92 mijë shqiptarë u bënë qytetarë italianë

Nga Scan TV

Në tre vjet, mesatarisht 84 shqiptarë në ditë fituan

Diaspora shqiptare nuk matet vetëm me numrin e lartë të shtetasve që jetojnë jashtë vendit, por edhe me ritmin e integrimit të saj në shtetet pritëse. Të dhënat e INSTAT tregojnë se, krahas përmasës së madhe të diasporës shqiptare, një pjesë e saj po kalon edhe në një fazë tjetër, fitimin e shtetësisë në vendet ku jetojnë. Vetë raporti mbi diasporën i publikuar nga INSTAT thekson se shtetësia duhet lexuar si tregues i integrimit afatgjatë në vendet pritëse, jo thjesht si lëvizje migratore në kuptimin klasik.

Pesha kryesore e këtij procesi duket qartë në Itali. Sipas raportit të INSTAT, në vitin 2021 shtetësinë italiane e fituan 22,493 shqiptarë, në vitin 2022 kjo shifër u rrit në 38,129, ndërsa në vitin 2023 rezulton 31,728. Në total, për tre vite, mbi 92 mijë shqiptarë fituan shtetësinë italiane, me një mesatare prej rreth 30,783 vetash në vit, ose rreth 84 në ditë. 

Pas Italisë vjen Greqia, ku ritmi i fitimit të shtetësisë mbetet po ashtu i lartë. Të dhënat tregojnë se 7,736 shqiptarë fituan shtetësinë greke në vitin 2021, 9,631 në vitin 2022 dhe 9,943 në vitin 2023. Kjo do të thotë se në tre vite, mbi 27 mijë shqiptarë morën shtetësinë greke, ose mesatarisht rreth 25 persona në ditë. Për shkak të historisë së migracionit shqiptar drejt Greqisë, këto shifra pasqyrojnë një diasporë të konsoliduar, që po lidhet gjithnjë e më fort me shtetin pritës edhe në planin formal.

Përtej Italisë dhe Greqisë, raporti tregon se fitimi i shtetësisë nga shqiptarët vijon edhe në vende të tjera europiane, por në përmasa dukshëm më të vogla. Në Gjermani shifrat lëvizin nga 480 në 465 dhe 485 raste në vitet 2021-2023, në Francë nga 465 në 474 dhe 391, ndërsa në Suedi nga 384 në 581 dhe 717 raste. Belgjika po ashtu shfaq rritje, nga 365 raste në vitin 2021 në 588 në vitin 2023. Kjo tregon se, ndonëse Italia dhe Greqia mbeten qendra kryesore të integrimit formal të diasporës shqiptare, procesi është i shpërndarë edhe në vende të tjera të Europës Perëndimore dhe Veriore.

Në tre vjet, mesatarisht 84 shqiptarë në ditë fituan

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat