Analiza Posted on 2025-11-11 10:47:00

Sa para’ do të shkojnë për arsimin profesional në 2026? Rriten investimet dhe akses më i madh për grupet vulnerabël

From Eldiona Serani

Sa para’ do të shkojnë për arsimin profesional në

Arsimit profesional po i jepet gjithnjë e më shumë përparësi, sidomos vitet e fundit, kur mungesa e të rinjve në profesione të caktuara është bërë më e dukshme. Qeveria ka publikuar projektbuxhetin e vitit 2026, ku parashikohet financimi për arsimin në tërësi dhe në veçanti për arsimin profesional. Sipas këtij projektbuxheti, në vitin 2026 financimi për arsimin e mesëm profesional do të arrijë në 4.9 miliardë lekë, duke u fokusuar në përmirësimin e kushteve shkollore, rinovimin e godinave dhe zbatimin e ndryshimeve inovative.

Të dhënat tregojnë se trendi i arsimit profesional është në rritje të qëndrueshme. Aktualisht, arsimi profesional përbën rreth 19% të arsimit parauniversitar, ndërsa numri i nxënësve që ndjekin këtë drejtim për vitin shkollor 2024–2025 është 15,459, prej të cilëve 2,616 janë vajza. Krahasuar me vitin 2013, kur përqindja e nxënësve që zgjidhnin arsimin profesional ishte 13–14%, sot kjo shifër ka arritur në 19%.

Prioritetet për periudhën afatmesme 2026 –2028 fokusohen në modernizimin e infrastrukturës së ofruesve publikë të arsimit dhe formimit profesional (AFP), në përputhje me transformimin digjital dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ndër to përfshihet përditësimi i Katalogut Kombëtar të Kualifikimeve Profesionale, nxitja e pjesëmarrjes së grupeve të veçanta si vajzat, personat me aftësi të kufizuara dhe komunitetet romë e egjiptianë, si edhe zbatimi i plotë i procesit të akreditimit për ofruesit publikë dhe privatë.

Gjatë së njëjtës periudhë synohet që deri në vitin 2028, 20% e nxënësve të arsimit të mesëm ta ndjekin arsimin profesional, ndërsa përqindja e të diplomuarve që punësohen brenda një viti pas studimeve të rritet nga 57.5% në 68.5%. Parashikohet gjithashtu shtimi i numrit të të diplomuarve në Agjencitë e Formimit Profesional nga 3,000 në 3,400 dhe rritja e përfshirjes së nxënësve nga zonat rurale e komunitetet vulnerabël. Paralelisht, do të vijojë investimi në infrastrukturë përmes ndërtimit dhe rikonstruksionit të shkollave të praktikave profesionale në disa qytete, përfshirë “Karl Gega” në Tiranë, “Hasan Gina” në Lushnje, “Pavarësia” në Vlorë, “Bajram Curri” në Kukës, “Enver Qiraxhi” në Pogradec, si dhe “Arben Broci” dhe “Hamdi Bushati” në Shkodër.

Live TV

Latest news
All news

Most visited