Analiza Postuar më 20 Korrik 2026, 12:35

Më pak vreshta, por rrushi “reziston”/ Rendimenti më i lartë mban prodhimin në “këmbë”. Fieri kryeson vendin

Nga Xhorxhina Deda

Më pak vreshta, por rrushi “reziston”/ Rendimenti më i

Shqipëria po humbet gjithnjë e më shumë sipërfaqe të mbjella me vreshta, por prodhimi i rrushit nuk po bie me të njëjtin ritëm. Rendimenti më i lartë për hektar ka kompensuar një pjesë të tkurrjes së sipërfaqes, duke e mbajtur prodhimin kombëtar pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë.

Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, të përpunuara nga INSTAT, tregojnë se gjatë vitit 2025 në Shqipëri u prodhuan gjithsej 182,859 tonë rrush. Krahasuar me vitin 2024, kur prodhimi arrinte në 183 mijë tonë, është regjistruar një rënie e lehtë prej 0.3%, ose rreth 560 tonësh.

Pjesa më e madhe e prodhimit erdhi nga vreshtat, me 108.7 mijë tonë, ndërsa 74 mijë tonë u prodhuan nga pjergullat. Rrushi nga vreshtat përbënte rreth 59% të prodhimit të përgjithshëm, ndërsa ai nga pjergullat rreth 41%.

Ecuria e dy kategorive ishte e ndryshme. Prodhimi nga vreshtat u rrit lehtë me 0.2% krahasuar me vitin 2024, kur ishte 108.5 mijë tonë. Në të kundërt, prodhimi nga pjergullat ra me rreth 1%, nga 74.9 mijë në 74.1 mijë tonë.

Rritja e prodhimit nga vreshtat u arrit pavarësisht tkurrjes së ndjeshme të sipërfaqes së mbjellë. Në vitin 2025, sipërfaqja e përgjithshme e vreshtave zbriti në 9,385 hektarë, nga 9,845 hektarë një vit më parë, duke shënuar një rënie prej 4.7%.

Prodhimi u mbështet nga rendimenti më i lartë, i cili arriti në 121.5 kuintalë për hektar, nga 115.9 kuintalë në vitin 2024. Kjo përfaqëson një rritje prej afro 5% dhe është një nga nivelet më të larta të regjistruara gjatë viteve të fundit.

Tkurrja e vreshtave bëhet edhe më e dukshme në krahasimin afatgjatë. Në vitin 2018, Shqipëria kishte rret 11 mijë hektarë vreshta, rreth 1,400 hektarë më shumë se në vitin 2025. Brenda shtatë viteve, sipërfaqja është reduktuar me 13%.

Megjithatë, prodhimi nga vreshtat ka rënë shumë më pak. Nga 110 mijë tonë në vitin 2018, ai zbriti në 108.7 mijë tonë në vitin 2025, një rënie prej vetëm 1.6%. Kjo tregon se rritja e rendimentit ka zbutur efektin e humbjes së sipërfaqeve të mbjella.

Sipas qarqeve, Fieri ishte prodhuesi më i madh i rrushit në vend, me 40.5 mijë tonë, i ndjekur nga Elbasani me 30.4 mijë tonë. Vetëm këto dy qarqe siguruan së bashku afro 39% të prodhimit kombëtar.

Pas tyre renditen Berati, Tirana, Vlora dhe Durrësi. Prodhimi më i ulët u regjistrua në Kukës, dhe në Gjirokastër.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat