Analiza Postuar më 12 Mars 2025, 11:07

Cilat vende konsumuan “bukën” shqiptare? Në vitin 2024 eksportuam kryesisht drejt Greqisë, Kosovës dhe SHBA-së

Nga Xhorxhina Deda

Cilat vende konsumuan “bukën” shqiptare? Në vitin 2024

“Scan Intel” ka analizuar edhe më herët përmes të dhënave të INSTAT eksportet e produkteve bazë “Made in Albania”, ndërkohë këtë herë është ndalur tek eksporti i drithërave në dy vitet e fundit.

Sipas të dhënave për vitin 2024, vlera e eksportit të drithërave vlerësohet në 24.8 milionë lekë, duke shënuar një rënie prej 4% krahasuar me vitin 2023 kur regjsitrohej në 25.8 milionë lekë. Megjithatë, nisur nga shifrat zyrtare, vlera e eskportit për vitin 2023 dhe 2024 është ndjeshëm më e ulët se në vitin 2022, kur regjistroheshin rreth 230 milionë lekë eksporte të drithërave.

Përgjatë këtij viti, i cili përkon edhe me krizën e ndikuar nga konflikti Rusi-Ukrainë, thuajse e gjithë sasia e drithërave të eksportuar ka shkuar drejt një shteti të vetëm, Kosovës, duke qenë se ka patur vështirësi me rezeravat.

Por në cilat vende kanë shkuar drithërat shqiptare përgjatë vitit 2024?

Vlerën më të lartë të eksporteve për këtë produkt për vitin që lamë pas e regjistron Greqia me 8.5 milionë lekë. Ndërkohë, në vitin 2023, të dhënat tregojnë se nuk kemi eksportuar drithëra drejt këtij vendi.

Kosova renditet e dyta, pasuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar me 5.2 milionë lekë dhe 3.8 milionë lekë përkatësisht. Në renditje po ashtu futen edhe Mali i Zi, Italia dhe Ruanda. Këto pra janë vendet drejt të cilave kanë shkuar eksportet e drithërave.

Le të theksojmë se Shqipëria ka një varësi të konsiderueshme të këtij produkti nga importi. Sipas të dhënave të analizuara më herët nga “Scan Intel”, varësia e Shqipërisë nga importi i drithërave duket se është reduktuar në vitet e fundit, megjithatë, numrat për vitin 2024 tregojnë se ka patur një rrije të importit të drithërave në peshë, por edhe në vlerë. Në vitin që lamë pas, Shqipëria importoi rreth 10 miliardë lekë drithëra me një rritje të lehtë prej 0.2%, krahasuar me vitin 2023.

Ndërkohë nëse do të flasim për prodhimin, gjatë vitit 2023, periudha e fundit kur të dhënat janë publike ka prodhuar rreth 710 mijë tonë drithëra. Saktësist ¼ e prodhimit e mban mbi “shpatulla” një qark i vetëm dhe ai është qarku i Fierit.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat