Shqipëria Postuar më 17 Korrik 2025, 11:11

Situata e zjarreve në vend gjatë 24-orwve të fundit/ MM: 17 vatra zjarri të raportuara, 4 ende aktive

Nga Edel Strazimiri

Situata e zjarreve në vend gjatë 24-orwve të fundit/ MM: 17 vatra

Ministria e Mbrojtjes informoi sot lidhur me situatën e zjarreve në vend duke bërë të ditur se, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 17 vatra zjarri, nga të cilat 4 janë ende aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Mat, Vau i Dejës, Mallakastër, Lezhë, Mirditë, Gjirokastër, Përmet, Himarë, Finiq, Krujë, Tiranë, Kavajë, Rrogozhinë dhe Berat.

Aktualisht mbeten aktive vatrat në qarkun Dibër, në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë ku ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Si pasojë, deri tani është përshkuar një sipërfaqe rreth 200 ha me pyje pishe dhe ahu. Sot, 30 forca operacionale vendore dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, po vazhdojnë punën për shuarjen e zjarrit.

Në vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë vijon puna për shuarjen e zjarrit të riaktivizuar. Si pasojë, deri tani është përshkuar një sipërfaqe rreth 30 ha me shkurre dhe barishte.

Në qarkun Shkodër, në vendin e quajtur “Qafa e Lacit”, bashkia Vau-Dejës, ka vijuar puna për shuarjen e vatrës së zjarrit të rënë në datë 15.07.2025 në një sipërfaqe prej rreth 25 ha me lis, dushk, shkurre dhe barishte.

Në qarkun Fier, forcat po punojnë për shuarjen e zjarrit në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër. Terreni malor dhe era e fortë e kanë vështirësuar situatën. Pranë vatrës ndodhet gjithashtu një pus gazi, që përbën rrezik të shtuar. Sipërfaqja e djegur dhe e përshkuar në total llogaritet rreth 120 ha shkurre dhe pyll me pisha, si dhe janë dëmtuar dhe djegur mbi 1000 rrënjë ullinj. Sot, 36 forca operacionale vendore dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, po vazhdojnë punën për shuarjen e zjarrit. Në ndihmë të tyre ka shkuar edhe helikopteri Cougar.

Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur më shumë se 381 hektarë sipërfaqe dhe mbi 1000 rrënjë ullinj.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 27 automjete zjarrfikëse dhe 288 forca operacionale. Gjithashtu, në operacionet e ditës së djeshme mori pjesë edhe helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura. Sot, që prej orës 06:00, në operacionet e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 70 forca ushtarake dhe 2 helikopterë nga Forcat e Armatosura.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarqet Shkodër dhe Kukës, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje lokalisht të dobëta. Sa u përket zjarreve në pyje, sot pritet nivel rreziku “I lartë” në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër nivel rreziku “I moderuar” në të gjitha qarqet e tjera.

Nё disa qarqe pritet rrezik “I lartë”, vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug-Perëndim). MM thekson se, strukturat e Mbrojtjes Civile janë të gjitha të angazhuara, për t’i ardhur në ndihmë komunitetit, në rast nevoje.

MM fton qytetarët të bëjnë kujdes, duke shmangur ndezjen e zjarreve në mjedise të hapura dhe të raportojnë menjëherë pranë shërbimeve zjarrfikëse çdo vatër që konstatojnë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat