Shqipëria Postuar më 1 Gusht 2025, 11:57

Shqipëria, në “shënjestër” të hakerave - AKSK: 43 incidente në gjysmën e parë të vitit. Më i rëndi, ai ndaj Bashkisë së Tiranës

Nga Ledina Elezi

Shqipëria, në “shënjestër” të hakerave -

Shqipëria po vihet gjithnjë e më shumë në shënjestër të hakerave për vjedhjen e të dhënave dhe ndërprerjen e shërbimeve publike. Gjatë këtij viti, institucionet tona kanë rënë pre e një numri më të madh sulmesh kibernetike se në 2024.

Vendi ynë është përballur me 29 sulme kibernetike në tremujorin e dytë, 15 incidente më shumë se në janar-mars. Bazuar në statistikat e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, gjashtëmujori i parë 2025 numëron 43 incidente kibernetike, rreth 34% më tepër incidente se në gjithë 2024.

Sulmet më të shpeshta kanë qenë të tipit DDoS, me qëllim ndërprerjen e shërbimeve publike, ndërsa incidenti me pasojat më të rënda ka qenë sulmi WIPER ndaj Bashkisë së Tiranës, i cili synonte fshirjen përfundimtare të të dhënave dhe dëmtimin e funksioneve digjitale.

Krahas tyre, janë identifikuar edhe 4 tentativa phishing, spear phishing, 3 skanime të paautorizuara të rrjeteve, 2 komprometime aplikacionesh, 3 trojanë, dhe 1 shfrytëzim i dobësive në sisteme të ndryshme.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) shprehet se ky tremujor konfirmon qartë nevojën për vigjilencë të vazhdueshme dhe përforcimin e kapaciteteve reaguese, ndërsa vijon të garantojë monitorim të pandërprerë, ndërhyrje në kohë reale dhe mbështetje teknike për infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit në vend.

Në 3 muajt e parë të këtij viti, Autoriteti identifikoi dhe menaxhoi gjithsej 14 incidente kibernetike, duke ndërmarrë masa konkrete për neutralizimin e kërcënimeve dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike. Ndërkohë, në vitin që lamë pas, numri i incidenteve kibernetike ka qenë vetëm 32.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat