Shqipëria Postuar më 14 Korrik 2026, 10:56

Shqipëria mbyll tre kapitujt e parë të negociatave - Sot, konferenca e IX ndërqeveritare në Bruksel

Nga Fabjona Pasho

Shqipëria mbyll tre kapitujt e parë të negociatave - Sot,

Negociatat me Bashkimin Europian kanë hyrë në një fazë të re për Shqipërinë. Në Bruksel do të mbahet Konferenca e nëntë Ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku do të mbyllen tre kapitujt e parë të negociatave.

Bëhet fjalë për kapitullin 25, që lidhet me shkencën dhe kërkimin, kapitullin 26, për arsimin dhe kulturën, si dhe kapitullin 30, që përfshin marrëdhëniet me jashtë.

Kapitulli 25 vlerëson kapacitetet e vendit për t’u përfshirë në programet europiane të kërkimit dhe inovacionit. Ai kërkon institucione funksionale, staf të kualifikuar dhe kushte që universitetet, studiuesit dhe bizneset të përfitojnë nga programet e Bashkimit Europian.

Kapitulli 26 përfshin arsimin, formimin profesional, rininë, sportin dhe kulturën. Në fokus janë rritja e cilësisë së arsimit, lëvizshmëria e studentëve dhe të rinjve, mosdiskriminimi, si dhe ruajtja dhe promovimi i diversitetit kulturor.

Ndërsa kapitulli 30 lidhet drejtpërdrejt me politikën tregtare të vendit ndaj shteteve të treta. Shqipërisë i kërkohet të përafrojë marrëveshjet dhe qëndrimet e saj tregtare me ato të Bashkimit Europian, si dhe të krijojë kapacitetet për të marrë pjesë në politikat europiane të zhvillimit dhe ndihmës humanitare.

Komisionarja për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi progresin e bërë nga vendi ynë.

“Sot është një “Super e Martë” për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillojmë katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Katër vendet që kryesojnë procesin – Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi – po hedhin të gjitha hapa të mëdhenj përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Me Ukrainën dhe Moldavinë po hapim Klasterin 6, i cili mbulon fusha si mbrojtja dhe siguria, ku argumentet për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian janë veçanërisht të forta. Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë të negociatave. Ndërsa Mali i Zi ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapituj. Tani, ky moment pozitiv duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”.

Mbyllja e kapitujve është e përkohshme dhe nuk nënkupton përfundimin e detyrimeve. Bashkimi Europian do të vijojë monitorimin e zbatimit të reformave deri në përfundimin e negociatave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat